Viti 2016 do të mbahet në mend për trazimin e politikës globale.
Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, e tash edhe zgjedhja e republikanit kontrovers Donald Trump për president të shtetit më të fuqishëm në botë, e ka befasuar botën mbarë.
Por, ky vit do të kujtohet edhe për humbje të mëdha në artin botëror.
David Bowie vdiq në janar, Prince në prill, Leonard Cohen sot.
Kushdo që i ka dëgjuar këngët “In My Secret Life” të Cohen, “Purple Rain” të Prince, dhe “The Man Who Sold the World” të David Bowie, nuk ka se si të mos ndihet i afërt me muzikën dhe tekstet e tyre.
“Ishin simbole të një kohe kur njerëzit kishin më shumë ëndrra e më shumë dashuri për njerëzimin”, e përshkruan gazetari Agron Shala.
Për të, tri legjendat kanë krijuar trashëgimi kulturore, gjë të cilën në ditët e sotme shumë pak këngëtarë e arrijnë.
“Këta emra kanë lënë pas vetes diçka, vlera e të cilave nuk po humb ndër vite. Sot me muzikë merret secili, por gjithçka shpejt kaplohet nga harresa. Edhe muzika është bërë si produkt i konsumit, për një përdorim”.
Cohen, poet dhe këngëtar që i këndonte dashurisë dhe dëshpërimit, do të mbahet mend me zërin e tij melankolik dhe tekstet që prekin shpirtin.
Fansat e tij në gjithë botën e pritën me lot në sy lajmin për ndarjen e tij nga jeta.
Poeti dhe shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Lulzim Haziri, gjithmonë do e mbajë në mend Cohen-in si mjeshtër të fjalës.
Ai është shprehur për klankosova.tv se vdekja e Cohen ia ka prerë gëzimin për Nobelin e Bob Dylan.
“Për të gjithë ne adhuruesit e poezisë dhe muzikës që i simpatizojmë këto dy zhanre, nuk na zgjati shumë gëzimi për Bob Dylan me shpërblimin Nobel, pasi na erdhi lajmi i zi për vdekjen e shpirtit të tij binjak, Leonard Cohen”.
“Për dallim nga Dylan që nuk i botonte në libra tekstet e tij, Cohen hyri në botën e muzikës si poet. Pra, ishte një poet i lindur që botonte vazhdimisht libra”.
Cohen e fitoi simpatinë e poetit shqiptar për shkak të mospërfilljes së rregullave të vendosura nga shoqëria.
“Cohen-in kam filluar ta dua kur ia kam vënë re shpirtin e tij rebel. Një shpirt që nuk donte t’iu nënshtrohej civilizimit dhe sistemeve ekzistuese”.
Sipas Hazirit, legjenda e muzikës dhe e poezisë kërkonte veten e tij brenda një bote që gjendet e mjegulluar, por të cilën nuk e gjeti kurrë.
“Nuk e ka gjetur veten në këtë botë, pasi që ai ishte i vetmi nga të rrallët që nuk u ndal së shkruari e së kënduari. Albumi i tij i fundit u publikua sivjet, ai botoi edhe libër me poezi pasi ishte në kërkim të vazhdueshëm të vetvetes”.
“Nuk ishte një artist që kënaqej me një album dhe me një libër”.
Mjeshtri i poezisë nuk u ndal së shkruari as në ditët e tij të fundit.
Në tetor ai publikoi albumin e tij të katërmbëdhjetë me titullin “I Want it Darker”.
Pak kohë para publikimit të albumit, në një intervistë për revistën amerikane New Yorker, Cohen kishte thënë se ishte i gatshëm të vdiste.
Vdekjen në moshën 82 vjeçare e sheh si “vdekje me rend”, gazetari Shala.
“Ishte 82 vjeçar dhe vdekatar i rëndomtë si secili, por që la vepra, vepra këto që do të kujtohen përgjithmonë”.
Kënga “Dance Me to the End of Love” i ka mbetur në kujtesë Shalës për shkak të video–klipit.
“Dance Me to the End of Love, e vitit 1984, mbase shkaku i video-spotit bardhezi që transmetohej shpesh në Radiotelevizionin e Prishtinës, dhe i një femre me një bukuri të veçantë, e pa grim që shfaqej aty e që me lëvizjet e qëndrimin e saj krijonte një enigmë, një si magji tërheqëse. Për dikë në moshë të vogël, Cohen nuk ishte muzikant intrigues, e aq më pak vokali i tij i rëndomtë e vargjet e pakuptueshme për një fëmijë. Pra, ishin imazhet nga ai video-spot - siç quheshin “video-klipet” në ato vite - për të zgjuar dikur kërshërinë time për këtë artist”.
“Cohen ishte një produkt i një kohe kur vlerat çmoheshin e kur fjala kishte peshë. Vdekja e tij simbolizon edhe vdekjen e një botëkuptimi ndryshe për artin. Ndaj, besoj që njerëzit do t’i kaplojë nostalgjia për kohën kur është dashur të jesh edhe i mençur, edhe i talentuar, për t’u bërë i njohur”.
Është vështirë të spikatet ndonjë varg i Cohen nga shumësia gjigante e tyre.
“Wasn’t hard to love you. Didn’t have to try”, thuhet në këngën
My Oh My teksa i këndon dashurisë.
Pikërisht pa u munduar fare, vetëm se ishte vetvetja, Cohen me thjeshtësi dhe elegancë zuri vend në zemrat e miliona adhuruesve.