Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Sipas IKD-së, ky vendim është arsyetuar me nevojën për adresimin e një numri të madh të ankesave të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.
Megjithatë, ky Institut vlerëson se vendimi është haptazi në kundërshtim me ligjin.
“Anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria pa asnjë bazë ligjore. Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike”.
“Mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij. Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet mes tjerash në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Për këto arsye, IKD vlerëson se ky është një vendim i kundërligjshëm dhe i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos e votojë të njëjtin.
“Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij Komisioni’.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.