Lajmet e fundit

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë protestuar sot, të irrituar nga deklaratat e drejtorit ekzekutiv, Gramos Hashani, i cili në një intervistë publike ka thënë se punëtorët e KEK-ut “kanë paga mbi 1 mijë euro”.
Këto deklarata janë hedhur poshtë nga vetë punëtorët, të cilët gjatë protestës i kanë quajtur të pavërteta dhe mashtruese. Protestuesit puntorë të KEK kanë akuzuar Hashanin se po e deformon realitetin dhe po tenton ta minimizojë gjendjen e tyre ekonomike.
Sipas punëtorëve, pagat reale janë shumë më të ulëta sesa ato që janë paraqitur nga drejtori ekzekutiv. Ata kanë publikuar dhe deklaruar paga konkrete gjatë protestës, duke argumentuar se shumica e tyre nuk i afrohen shumës prej 1 mijë eurosh.
Protestuesit kanë paralajmëruar se, nëse nuk ka reflektim nga menaxhmenti, do të ndërmarrin hapa më radikalë, përfshirë edhe grevën e përgjithshme.