Lajmet e fundit

Menaxheri i ri i Bayern Munchen-it, Jupp Heynckes, ka eliminuar shqetësimet se ai mund të mos jetë familjar me lojën moderne, pasi që është rikthyer si trajner i këtij klubi.
Bayern riktheu 72 vjeçarin në pankinë, pas një mungese katërvjeçare të tij në botën e futbollit.
Heynckes ishte pensionuar më 2013, kur kishte arritur ta fitojë tripletën me Bayern Munchen, duke arritur të triumfojë në Bundesligë, në Kupën e Gjermanisë, si dhe në Ligën e Kampionëve.
Ai foli në një konferencë për shtyp të hënën në Munchen, ku tha:
“Pasi lashë Bayernin më 2013, nuk mendova që do ta trajnoja ndonjë klub sërish. Mendoja që ajo ishte e tëra”.
“Kisha oferta nga top klubet evropiane, por nuk doja të rikthehesha. Ky nuk është rikthim, është për një kohë të kufizuar”.
“Ishte e rëndësishme për mua që mund ta sillja ekipin tim të mëparshëm me vete, sepse duhet të jemi në të njëjtën vijë mendimi”.
“Kritikët thonë që kam qenë jashtë kësaj loje për katër vjet, por futbolli nuk është rizbuluar. E kam ndjekur mjaft afër”, shtoi ai.
“Mosha është veç numër. Disa ndjehen të vjetër në moshën 45 vjeçare. Nuk kam ndryshuar. Ende e dua muzikën dhe sportin. Ndjehem i ri”.