Lajmet e fundit

Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka thënë që samiti i djeshëm i Bashkimit Evropian e frustroi Ballkanin Perëndimor.
"Arsyeja dhe frustrasioni dje kishte disa nivele dhe besoj që për secilën nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, gjithkush ka pasë ndjeshmëritë e veta të zhgënjimit. Nuk është hera e parë që ne e përsërisim, duke e nisur nga procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, mosmbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mos marrja e statusin potencial kandidat për Bosnje Hercegovinën".
Në bazë të matjeve të Barometrit të Ballkanit, Bregu tha që qytetarët e rajonit shfaqen pesimistë se një ditë mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian.
"Të gjitha këto që ne që punojmë për rajonin, do të thonë shumë. Për herë të parë në Ballkan Barometër sipas matjeve kemi gjashtë rënie pikë në përqindje, ose gjashtë pikë më shumë në rritje të pesimizmit të qytetarëve të rajonit se një ditë mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian”.
"Por, nëse ne do të bënim sot ose një javë më pas të njëjtën pyetje, qytetarët e rajonit do të ishin edhe më shumë pesimistë", tha ajo.