Finlanda është emëruar
Vendi më i Lumtur në Botë, për vit të katërt me radhë, në raportin vjetor të iniciuar nga Kombet e Bashkuara.
Kjo listë e lumturisë e gjeti Danimarkën në vend të dytë, të pasuar nga Zvicra, Islanda dhe Holanda.
Shteti që konsiderohet si më i pakënaquri në botë është Afganistani, i ndjekur nga Lesoto, Botsvana, Ruanda dhe Zimbabve.
Ndërkaq, vendi ynë, Kosova, është radhitur me numër 33 në listën e 149 shteteve të vlerësuara për lumturinë e tyre.

Ky rezultat i yni, për ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, është renditje e shkëlqyeshme dhe ndoshta më e mira në rajon.
Përfaqësuesja e shtetit më të lumtur në botë, që tash e një kohë jeton dhe vepron në Kosovë, tregoi për klankosova.tv se ku e gjejnë lumturinë bashkatdhetarët e saj dhe se çfarë mësimi mund të marrin kosovarët prej tyre, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës.

Ajo që karakterizohet si një grua e zonja dhe shumë pozitive, ndan me ne edhe përvojën e përshtatjes së saj në Kosovë, pasi erdhi nga Finlanda - që njihet për jetesë të qetë dhe të stërmbushur me pisha, liqene e sauna:
- klankosova.tv: Fillimisht urime që Finlanda u shpall vendi më i lumtur në botë, për vit të katërt me radhë. A e gjeni veten në këtë renditje, edhe pse tani nuk gjendeni atje?
Po, sigurisht. Është një proces i gjatë dhe ne të gjithë përpiqemi që ta bëjmë vendin tonë më të mirë - unë këtu tani në vendin tuaj dhe bashkëqytetarët e mi atje. Lumturia është një projekt i vazhdueshëm.
Për të siguruar një të nesërme të lumtur, duhet të vendosim vizionet tona drejt kapitujve të ardhshëm të lumturisë. Njerëzit e zhvillojnë shoqërinë së bashku, duke këshilluar njëri-tjetrin dhe duke mësuar nga njëri-tjetri.
- klankosova.tv: A i bie kjo se ju tani jeni ambasadorja më e lumtur në Kosovë?
Mbase edhe mund të jetë, megjithatë lidhet shumë me të jetuarit atje. Sidoqoftë, nëse ndonjë gjë e keqe do të më ndodhte, si p.sh. corona, unë e di se mund të kthehem në shtëpi dhe ta gjej kujdesin ndaj meje, kështu që siguria e bën jetën tuaj më të mirë. Dhe, jam e lumtur që punoj me kosovarët për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
- klankosova.tv: Çfarë mendoni se ndikon në lumturinë e finlandezëve?
Mendoj se siguria, qeverisja e mirë, besimi, mirëqenia, liria dhe barazia janë gurët e themelit të lumturisë në Finlandë. Këto themele janë zgjeruar gjatë viteve me legjislacionin dhe inovacionin social. Më pas besoj se është sistemi ynë arsimor, të jesh i lirë të shprehesh në jetën tënde, dhe natyrisht lidhja që kemi me natyrën dhe liqenet është gjithashtu e rëndësishme.
- klankosova.tv: Duke e ditur që Finlanda karakterizohet me mot kryesisht të vranët e të ftohtë, a e hedh kjo poshtë hipotezën që ditët e shumta me diell ndikojnë pozitivisht në disponim të njerëzve, siç zakonisht supozohet?
Më pëlqen dielli dhe moti i ngrohtë, megjithatë në Finlandë është disi ndryshe sesa në vendet tjera. Edhe nëse jashtë është mot i lagësht ose i ftohtë, brenda është gjithmonë ngrohtë.
Në gjithashtu jemi mësuar të vishemi konform motit. Shumë finlandezë po ashtu pëlqejnë ndërrimin e sezonit. Mua më pëlqen vjeshta para se të kthehet në dimër, ditët e ftohta me diell e plot ngjyra. Po ashtu e dua mesin e verës kur nuk ka errësirë, ka luleshtrydhet më të mira në botë, mundësi për të qenë në vilën buzë liqenit dhe shijimi i qetësisë e të ndenjurit jashtë me miqtë.
Pra, mendoj se besimi i njerëzve në njëri-tjetrin dhe në qeveritë e tyre, çka krijon një ndjenjë sigurie dhe mirëqenieje, janë faktorët që ndikojnë pozitivisht në gjendjen shpirtërore të njerëzve.
Edhe nordikët tjerë kanë mot të ngjashëm, por në përgjithësi dalin mirë në radhitjet e lumturisë; kjo mund të gjurmohet nga modeli nordik, i cili e vë theksin te demokracia, barazia dhe liria personale.
- klankosova.tv: Kosova radhitet e 33-ta në këtë raport. Çfarë mësimesh mendoni se mund të marrim nga shteti juaj?
Fillimisht mendoj se kjo është renditje e shkëlqyeshme për ju, mbase edhe më e mira ne rajon. Kam lexuar se vetëm Sllovenia është para jush.
Mendoj se ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Ndoshta ju mund të ishit pak më shumë krenarë për vendin tuaj dhe po ashtu të kërkonit nga Qeveria që të bëjë gjëra për ju dhe ta reformojë shtetin ashtu siç do ta dëshironit.
Ndërkaq, ne mund të mësonim nga ju se si kujdeseni për familjet tuaja dhe madje i kushtoni kohë për të pirë një kafe me familjen ose miqtë.
- klankosova.tv: Ku ndryshojnë më shumë kosovarët nga finlandezët?
Kosovarët janë më shumë komunikues dhe shprehës se ne finlandezët. Po ashtu, ju kaloni më shumë kohë me familjen tuaj të gjerë. Mendoj se stresoheni më pak se ne. Ne kujdesemi ndoshta më shumë për natyrën dhe për ne është keq kur shohim mbeturina në oborre e pyje.
Këtë ndryshim në fakt do ta bëja në Kosovë, përndryshe është një vend me të vërtetë i bukur.
Ne po ashtu jemi më individualistë dhe gjithashtu kërkojmë të drejtat tona. Mendoj se në Kosovë njerëzit jo gjithmonë besojnë se të drejtat e tyre do t’u shërbehen.
Po ashtu ju jeni më mikpritës se ne dhe është gjithashtu e vërtetë që jeni shumë të vullnetshëm për të ndihmuar. Disa nga miqtë e mi u ndihmuan në mënyrë shumë të mirë në Prishtinë kur humbnin ose përpiqeshin të gjenin ndonjë vend.
- klankosova.tv: Çka është diçka që do ta shkëmbenit mes Kosovës dhe Finlandës?
Sistemi ynë arsimor do t’ju bënte shumë mirë, natyrisht i përshtatur për nevojat tuaja. Ndërkaq neve do na duheshin më shumë kontakte me familjen siç i keni ju këtu, dhe natyrisht lojtarë të mirë futbolli.
- klankosova.tv: Nga bashkëvendësit tanë që jetojnë dhe veprojnë në Finlandë, thuhet se finlandezët janë njerëz më të mbyllur dhe privatë. A mund të jetë kjo një arsye që ata e gjejnë lumturinë në qetësinë e tyre?
Kjo mund të jetë e vërtetë. Nëna ime më thoshte “nëse nuk je e lumtur, fëmija yt gjithashtu nuk do të jetë”. Kështu që ne përpiqemi të jetojmë në mënyrë që të jemi të sinqertë ndaj vetes dhe atëherë shpesh lumturia është aty.
- klankosova.tv: Finlanda prin në botë edhe në fushën e arsimit. Me aq sa mund të keni njohuri, ku mendoni se çalon Kosova në këtë pjesë, marr parasysh rezultatet e testeve PISA?
Në çështjen e arsimit unë mendoj se ne jemi duke u zhvilluar gjatë gjithë kohës. Është një proces i vazhdueshëm dhe tani po i arsimojmë fëmijët duke përdorur të mësuarit në bazë të projekteve.
Informacioni është i disponueshëm kudo, si për shembull Google. Më e rëndësishme se mësimi përmendësh i gjërave, do të ishte të mësonit se si t'i shfrytëzoni informatat për nevojat apo përfitimin tuaj. Gjithashtu mendoj se është e domosdoshme që mësimdhënësit të arsimohen gjatë gjithë kohës.
- klankosova.tv: Ju jetoni në Kosovë tash e një kohë. Si ishin ditët tuaja të para këtu dhe a u përshtatët lehtë me vendin dhe qytetarët? A ju kishte marr malli për saunë, marr parasysh që Finlanda identifikohet edhe me të!
Po, ishte me të vërtetë e lehtë për t’u përshtatur këtu. Ndërsa më vonë, kur sheh disa çështje negative, p.sh. në politikë, ishte më e vështirë. Njerëzit këtu janë të shkëlqyeshëm, stafi im është i mrekullueshëm. Po ashtu janë shumë kosovarë që jetojnë në Finlandë dhe edhe ata duken mjaft të lumtur.
Më mungonte sauna në fillim, por më pas e bëra një timen. Ato që më mungojnë më së shumti janë shëtitjet në pyll dhe liqenet në Finlandë.
