Lajmet e fundit

Shfaqja që dhuroi Alban Hoxha në Ligën e Kampioneve, duke pritur tre penallti përballë Ferencvaroshit e sidomos duke shënuar një të tillë me “panenka”, ka tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura europiane të cilat janë gati të sigurojnë shërbimet e tij.
Sipas “Top Channel”, portieri është kontaktuar nga menaxherë të klubeve të ndryshme, mes të cilëve edhe Kievo e Palermo. “Në qoftë se do të flitet për një kampionat të fortë, kam dëshirë që të iki e të provoj veten në një sfidë më të vështirë”, thotë vetë futbollisti, për një transferim që mund të realizohet shumë shpejt.
Klubi i Kievos është shfaqur i gatshëm të blejë kartonin e portierit, duke paguar 400 mijë eurot që Partizani kërkon për Hoxhën. Tani të kuqtë duhet të vendosin nëse do ta lënë të largohet portierin dhe njëkohësisht kapitenin e tyre, apo do të refuzojnë këtë ofertë.
Duke u kthyer të penalltitë e të mërkurës, Hoxha ka konfirmuar se praktikën për gjuajtje të tilla e ka bërë shpesh në grumbullim me kombëtaren. “Edhe në kombëtare, pas stërvitjes kemi gjuajtur shpeshherë me Berishën e Shehin penallti të këtilla. Fyese për portierët? Nëse do të ma gjuanin mua atë penallti, do të ishte shumë e vështirë ta kapërceja atë moment.
Unë e gjuajta në atë mënyrë jo për të poshtëruar portierin kundërshtar, por se ashtu e mendova dhe besova se aty do të ishte goli më i sigurtë”, deklaroi ai.