Lajmet e fundit

Historiku i ëmbëlsirës që vjen nga Asiria e lashtë. Kur u bë e famshme për herë të parë dhe si shihet ajo në Shqipëri, si ndryshoi në vite ëmbëlsira dhe mbërritja te format dietike të saj
Atmosfera e festave do të ishte shumë çalamane nëse do të mungonte më e pamunguara, simboli e miti i festimeve, bakllavaja. Kur hamë bakllava, ne zor se mendojmë se nga ka ardhur, se kush e ka bërë për herë të parë dhe si ka mundësi që del aq e mirë. Sa i përket etimologjisë së fjalës bakllava, më e pranuara deri më sot është se kjo fjalë e ka prejardhjen nga rrënjët mongole “bayla”, mblidh ose lidh, duke u përzier me fundoren foljore “v” të turqishtes. Duke qenë se është sjellje tipike njerëzore të përvetësosh më të mirën, këtë kanë bërë edhe shumë shtete dhe popuj duke e përvetësuar bakllavanë si të tyren. Një mendim i gjerë i përkon idesë se asirianët rreth shek. VIII para Lindjes së Krishtit gatuanin një lloj ëmbëlsirë me brumë dhe arra të copëtuara, të cilën e piqnin mbi soba druri. Por nëse do të na duhej të zgjidhnim prejardhjen e bakllavasë, (për të qenë më të saktë edhe me gjurmët e shekujve më të afërt) me origjinën e së cilës mburret secili, do të ishte më e dorës një zgjidhje e shpejtë “sa për mbiemër”, të luhej me lojën letra me vrimë ku kandidatët kryesorë, krijues të bakllavasë, do të ishin osmanlinjtë, grekët, arabët, bullgarët etj. E, megjithëse vërtetimi me përqindje më të lartë vërtetësie nuk ka për të ndodhur asnjëherë, gjasat më të përafërta iu atashohen osmanlinjve. Gjithmonë, sipas fjalëve në shekuj, bakllavaja i hyri tryezave osmane nga fundi i shekullit XV. Deri në shek. XIX bakllavaja konsiderohej ushqim për të pasurit, ndërkohë që në Turqi ekziston edhe përdorimi i shprehjes më komune për të shprehur varfërinë: “Unë nuk jam aq i pasur sa të ha bakllava dhe byrek çdo ditë”.
Moda e fundit, bakllava dietike
Menjëherë, sapo ajo u bë pjesë e gatimit, u pëlqye shumë dhe u bë ndër ëmbëlsirat më të rëndësishme, rëndësi kjo e cila ka mbetur po në majat e saj edhe sot e kësaj ditë, plot 6 shekuj më pas. Kuptohet që si risi dhe tepër në modë në fillimet e saj bakllavaja përgatitej nga kuzhinierë të veçantë, të cilët ju duhej të hapnin jo më pak se 100 peta të tëra, këto shumë-shumë të holla. Por evoluimi i bakllavasë nuk u bë vetëm në përdorimin e klasave të ndryshme shoqërore (në fillime përgatitej vetëm për pasanikët) apo shije, por pas tre shekujsh shijimi, asaj iu shtua edhe një tjetër kriter bazë, paraqitja dhe kjo ndjekur nga hallka më e re e pranishme në masivitet në ditët e sotme, me tregtimin e saj.
Është e vërtetë që sot e kësaj dite ka shumë lloje bakllavash që rriten çdo ditë e më shumë me kërkesë bazë gatimi, dëshirën e klientëve. Në fillimet e saj bakllavaja bëhej herë me stika, herë me oriz, herë me kajmak, bajame, rrush të thatë apo arra, ndërsa sot edhe ajo i është nënshtruar perëndizimit, me kujdesin ndaj dietës dhe linjave. Bakllavatë e sotme bëhen me shurup trëndafilash apo bakllava me pak yndyrë dhe me sa më pak brumë.
Miti shqiptar i ëmbëlsirës
Dikur kur thuhej “bakllava” mendja do të shkonte te Viti i Ri, sepse mundësitë ekonomike e bënin këtë mbretëreshë të ëmbëlsirave kaq të ëndërruar mjaft të rrallë. Këtu fillon dhe miti i bakllavasë për shqiptarët. Grave iu bie barra më e madhe e punës dhe imagjinojeni zhgënjimin sikur ajo aq e shumëpritura për një vit të tërë të digjej ose të mos dilte si duhej. Secili nga ne me siguri bakllavanë e parë e kanë provuar nga duart e gjyshes apo mamasë, paçka se sot tëhollja e petëve iu lihet në të shumtën e rasteve pastiçerive. Edhe pse fare pa mundime, lodhjen nostalgjike dhe me atmosferë festive i ka zhdukur komercializmi, punishtet e ëmbëlsirave apo ëmbëltoret e shumta. Thelbësore për “bakllava-bërëset” sot i jepet më shumë rëndësi formave të ndryshme sesa mbushjeve si më parë (me stika, arra, rrush të thatë etj). Në vendin tonë pa bakllava fryma e festave të fundvitit kthehet në një ditë të zakonshme. “standard” u interesua në disa pastiçeri kryesore të vendit tonë për të marrë disa të dhëna në lidhje me prodhimin, llojet apo dhe sasinë e koston.
Pastiçeritë, plot me porosi
Mehmeti nga Turqia zgjodhi të bëhej pastiçer në Shqipëri dhe jo në qytetin më me famë në botë për bakllavanë, në Gaziantepi të vendit të tij. Madje edhe si pronar i ëmbëltores “Pasha” u tregua shumë i gatshëm të na thotë për sa u përket llojeve, sepse ai përgatit përveç bakllavasë tradicionale me rombe edhe bakllava tip çibuku të gjatë 50-60 cm e mbushur me mjaltë dhe thelpinj arrash edhe bakllava si kokrra dardhe, ku brenda është e mbushur plot me kokrra rrushi të thatë. Nga ana tjetër shitësja e tij tregon kur vjen radha për të folur për tepsitë e porositura, se kur bëhet fjalë për festën e Vitit të Ri vetëm në një nga pikat e shitjes deri para një javë kishin ardhur mbi 25 porosi. Në fund shton se bakllavaja tradicionale shqiptare, pra ajo me rombe ose trekëndësha është më e prodhuara si dhe më e shitura. Në pastiçerinë “Perfekt” shitësja ndihej pak e tradhtuar nga klientët e bakllavasë këto ditë. Në ditët e zakonshme si pothuajse gjithë vitet e tjera, numëronin veçse dy ose tre tepsi bakllava të shitura në ditë. Ndërsa për datat e festave ajo zuri kokën me dorë, duke thënë që nuk ua del dot të gjithë klientëve dhe të gjitha kërkesave. Data 31 dhjetor është njëkohësisht edhe dita e bakllavasë sepse, gjithmonë sipas shitëses, “edhe më i varfri atë ditë do t’i blinte dy kile bakllava”. Deri tani shitjet ishin me nivel mesatar, për këtë dyqan ndërsa porositë kishin kapur numrin pesëmbëdhjetë. Në pastiçerinë “Xhenis” afër stacionit të trenit, porositë kishin mbërritur që dhjetë ditë më parë. Shitjet ditore deri më sot arrinin në dy ose tre tepsi në ditë, ndërsa për datën e fundit të këtij viti pritej të shiteshin pesëfish më shumë.
Rekordi i shitjeve në rrugë, 75 euro një tepsi
“Ëmbëlsira e ëmbëlsirave” këto ditë, falë kërkesave më të larta krahasuar me gjithë muajt e tjerë të vitit, prodhohet dhe shitet edhe nga byrektore apo pastiçere të thjeshta të cilat i shesin ato tregjeve. Edhe këto të fundit që para dhjetë ditësh kanë arritur të shesin gjithsej me përafërsi 40 copë secila, numër ky i shtuar më shumë pas Krishtlindjeve. Sidoqoftë ka dhe një ëmbëlsirë pas ëmbëlsirës, kështu që çmimet thuhen në fund. Një bakllava e vogël në përgjithësi shitet për 15 mijë lekë, ndërsa një bakllava mesatare me 60 petë varion nga 20 mijë lekë deri në 30 mijë lekë. Në fund një bakllava e madhe fillon nga 35 mijë lekë e deri në 75 euro tepsia, çmim ky i paguar nga një emigrant, i cili e pati porositur bakllavanë me shumë petë dhe mbushje te një pastiçer ambulant. Por sado “çmenduri” të duket, për bakllavanë, edhe për një copë të saj ia vlen të “lësh thonjtë”.
Përgatitja për një tepsi bakllava:
Përbërësit:
1 kg miell
7 vezë
1 gotë vaj
1 gotë qumësht
pak kripë
1 kg arra
gjalpë i shkrirë
Nga 7 vezët, 4 prej tyre do t’i përdorni të verdhat, ndërsa 3 të tjerat komplet bashkë me të bardhën. Hidhini të tëra lëndët sipër miellit dhe ziheni brumin. Më pas punojeni mirë me dorë dhe pastaj mbulojeni me një pecetë pakëz të lagur, duke e lënë ashtu për disa minuta. Brumin ndajeni në 4 pjesë dhe çdo pjesë ndajeni në 15 copa të vogla, të cilat punojini sërish. Secila nga sferat hapet në një diametër prej 15 cm. Hidhini niseshte gjatë hapjes që të mos ju ngjiten dhe çahen petat. Më pas merrini petat që i keni vënë një mbi një dhe hapeni këtë petë të vetme në madhësinë e tepsisë tuaj. Pasi ta keni hapur, viheni mbi tepsi, të cilën sigurisht që do ta keni lyer më parë me gjalpë. Më pas hidhni sipër petës gjalpin e shkrirë. Vazhdoni në të njëjtën mënyrë dhe me 15 sferat e dyta. Më pas viheni në tepsi, shtojini gjalpin dhe pas kësaj hidhini në mënyrë të njëtrajtshme arrat e copëtuara. Më pas vazhdoni po njësoj dhe më 15 sferat e grupit të 3-të, viheni në tepsi, hidhini gjalpin dhe po njësoj hapni dhe 15 sferat e grupit të fundit dhe ndiqni të njëjtat veprime dhe për to. Në fund priteni bakllavanë dhe viheni të piqet në furrën e ngrohur më parë në 110° C dhe mbajeni aty për rreth 6 orë.