Hiri i shkrimtarit të jashtëzakonshëm Truman Capote, autorit të veprave “In Cold Blood” dhe “Breakfast at Tiffany”, është shitur për 43.750 dollarë.
I ruajtur në një kuti japoneze të skalitur në dru, hiri ishte në pronësi të Joanne Carson, bashkëshortes së Johnny Carson, udhëheqësit të dikurshëm të programit zbavitës Tonight Show.
Zonja Carson, e cila vdiq vitin e kaluar, kishte deklaruar se ky hi “i kishte sjellë ngushëllim të madh”. Ajo dhe Capote ishin miq të mirë, njofton Klan Kosova.
Darren Julien, presidenti i kompanisë Julien’s Auctions, ka thënë se “nëse me disa njerëz tjerë të famshëm një gjë e tillë nuk do të kishte kuptim, në rastin e tij jam i sigurt 100% që ai do të kënaqej me këtë”.
Shtëpia e ankandit e kishte vendosur çmimin fillestar prej 2.000 dollarësh, por në fund çmimi u shumëfishua.
“Kishim të interesuar nga SHBA-ja, Rusia, Gjermania, Kina, Amerika Jugore. Kemi pritur që çmimi të shkojë mbi 10.000 dollarë, por jo deri në 43.750 dollarë”.
Së bashku me hirin u shitën edhe rrobat të cilat Capote i mbante veshur kur vdiq (për 6.400 dollarë), ndërsa dy kuti me ilaçet e tij u shitën për 9.280 dollarë.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
KK
SHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.