Lajmet e fundit

Bllokimin gati 1-vjeçar institucional të Kosovës, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, ia atribuuan Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti që në fillim qe i bindur që i ka numrat fillimisht për konstituimin e Kuvendit, e më pas për Qeveri, përfundoi në Kuvend, duke i ‘lutur’ deputetët t’ia votojnë kabinetin.
Ish-partitë opozitare e fajësuan LVV-në për bllokim, e kjo e fundit nuk rreshti së akuzuari këto parti.
Qëndrimet e partisë së Kurtit ndryshuan fort nga opozita në pozitë, transmeton Klankosova.tv
Si opozitë, ata kritikuan çdo refuzim të votave si kundër demokracisë dhe dëm për qytetarët, ndërsa tash, në pushtet, shprehen se qytetarët do t’i ndëshkojnë ish-opozitën për të njëjtat veprime që dikur i dënonin.
Tash deklarojnë se qytetarët do ta ndëshkojnë opozitën për veprimet e tyre, e dikur thonin se “kërkund në botë s’kanë dëgjuar nga një qeveri që thotë se nëse opozita s’i voton vendimet, është kundër qytetarëve.
Hekuran Murati i kësaj partie, më 30 nëntor, në një postim në Facebook, u shpreh se qytetarët do ta mbajnë në mend, që ish-opozita s’e votoi buxhetin, duke e bllokuar sipas tij shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga.
“Opozita refuzoi t’i votonte: 4 miliardë euro buxhet për 2026, 1 miliardë euro marrëveshje ndërkombëtare, Buxhetin e tri komunave për 2025, Buxhetin pë RTK-në
Nuk i votuan, jo se kishin ndonjë kundërshtim me përmbajtjen, por sepse menduan që duke e bllokuar shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga, faji do t’i mbetej Albin Kurtit. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë veprim destruktiv të partive opozitare dhe do t’ua tregojnë vendin me votë me 28 dhjetor.”
Por ndryshe e shihte qëndrimin e opozitës dikur, kolegu i Muratit, Glauk Konjufca.
Kur VV nuk ishte në pushtet, Konjufca kritikonte qeveritë për të njëjtat bllokime që tash i arsyeton Murati, raporton Klankosova.tv
“Nuk mbledhen votat, duke e sha opozitën. Një ditë ma përpara të shajnë, tani vojnë në Kuvend, hajde ndihmonani se është një çështje e rëndësishme. Kurrkund në botë nuk kom dëgju kësi qeverie, e cila thotë nëse opozita nuk na i voton vendimet, jeni kundër qytetarëve të vendit. Pa opozitën nuk mundeni me ecë përpara. Mësim elementar i demokracisë. Pa opozitën, nuk ka parlamentarizëm në këtë vend.” – deklaronte ai.
Bile, një tjetër VV-iste, e quante derexhe, situatën kur një qeveri mbështetet në numrat e opozitës.
“Duhet ta kuptoni që jeni pakicë dhe kështu nuk vazhdohet tutje. Nuk mund ta hedhni fajin te opozita. Vaj halli për atë koalicion që mbështetet në numrat e opozitës. Në momentin që vjen në këtë derexhe, dije që s’është puna mirë.“ – deklaronte Albulena Haxhiu, nga karrigia e deputetes opozitare./Klankosova.tv