Fermerët e qumështit protestuan sot para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po i çon fermat drejt falimentimit, pas ndalimit të grumbullimit të qumështit tash e katër ditë, e paraprirë nga mbyllja e përkohshme e qumështores “Vita”.
Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë protestës, fermerët kanë kërkuar që shteti t’i trajtojë me dinjitet dhe respekt dhe nëse këto nuk merren parasysh, protesta si ajo e sotmja do të vazhdojnë.
“Nga ky moment kërkojmë urgjentisht nga ministri, grupet punuese, të gjithë akterët pa dallim, të bëhemi së bashku dhe të mbajmë një takim e të zgjidhim urgjent këtë çështje, përndryshe skena të tilla, pavarësisht dëshirave tona, mund të shohim çdo ditë nëpër rrugë.
Lopët nuk janë çezme. Nuk mund t’i ndalim sot të mos prodhojnë, e të presim deri në momentin e duhur. Shumica e këtyre fermerëve, që i shihni me këto mjete bujqësore, janë të zhytur në kredi të cilat duhet t’i paguajnë. Të mos luhet me dinjitetin e tyre. Kërkojmë urgjentisht takim dhe zgjidhje të këtij problemi një herë e përgjithmonë, pse jo t’ia shtrijmë dorën këtij ministri, atij ministri apo atij ministri”, tha njëri nga fermerët.
Ata iu kundërpërgjigjën edhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke i thënë se “Qumështi Vitës është i Kosovës, jo i Serbisë”, duke shtuar se po gjykohen padrejtësisht gjoja po e helmojnë popullin e vet, raporton Klankosova.tv
https://klankosova.tv/fermeret-i-reagojne-ministrit-muja-qumeshti-i-vites-eshte-i-kosoves-jo-i-serbise/