Lajmet e fundit

Gjendja e sigurisë së hendbollistëve kosovare të grupmoshave U20 të cilat gjenden në Serbi është shumë e mirë, sipas Sekretarit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovcit, njofton Klan Kosova.
Serbia anuloi sot ndeshjen hendbollistike me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Kampionat Botëror U20, me ç'rast përfaqësuesja jonë e fitoi lojën në tavolinë me rezultat 20:0.
“Me plotë kuptimin e fjalës, siguria është në nivel të lartë”, tha Gjinovci për Klan Kosovën.
“Policia e Serbisë dhe Federata e Hendbollit të Serbisë ka bërë masat më të mëdha të mundshme për siguri”.
Gjinovci tha se forcat e sigurisë në Serbi nuk iu kanë lënë rast huliganëve për të vepruar, pas kërcënimeve të këtyre të fundit për ndërprerje të ndeshjes.
“Akomodimi është i mirë dhe në asnjë moment nuk jemi të rrezikuar”.
“Edhe njëherë kanë qenë masat shumë të mëdha të sigurisë”.
“Është një mobilizim total që të mos ndodhë asgjë”.
“Vajzat janë shumë mirë, po e ndjejnë veten shumë mirë, janë të lumtura për Kosovën, edhe pse më shumë fitoren e kanë dëshiruar që të ndodhë në fushën sportive”.
“Në fund nuk dominoi sporti, por ishin polemikat ato që nuk e lanë sportin të zhvillohet”.
Gjinovci tha se Kosova është e gatshme që të jetë nikoqire në ndeshjet ndaj Serbisë, duke thënë se Kosova ka dëshmuar edhe më herët se ka një publik që e kupton sportin, dhe që ofron siguri të lartë në organizime.