Ka përfunduar festivali i madh ndërkombëtar i poezisë.
Tradita që vazhdon, shënjuar prej 17 vjetësh edhe në këtë vit pati suksesin dhe risitë.
Urat e komunikimit mes kulturave përmes letërsisë, gjuhës, arteve, bënë që Peja të kishte një atmosferë festive të pasur letrare, artistike, e po ashtu të mbetej në vëmendjen e botës së madhe të kulturës, njofton Klan Kosova.
Personalitete të letërsisë botërore nga PEN International, nga rajoni, Evropa dhe Izraeli pasuruan me ardhjen e tyre këtë manifestim që mban emrin e poetit elitar të letrave shqipe e njëkohësisht identitar për Pejën, emrin e Azem Shkrelit.
Emmanuel Pierrat, shkrimtar francez, i botuar nga Fayard në Paris, Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International ishte një nga intelektualët që nderoi këtë manifestim duke mbajtur fjalën e rastit në sallën e kuvendit komunal të Pejës, ku i dorëzoi me ceremoni zyrtare certifikatën e mirënjohjes Engelbert Zefaj, Drejtorit për kulturën rininë dhe sportet në komunën e Pejës. Sylvester Clancier, poet dhe shkrimtar francez njohës i veprës së Kadaresë, Shkrelit, Rugovës, Camajt po ashtu lexoi poezi dhe falënderoi qytetin për mikpritjen. Antonio Della Rocca, poet dhe kritik arti nga Italia, në leximet e tij dhe fjalën për mediat solli në vëmendje të publikut rëndësinë e komunikimit dhe dialogut për një rajon në paqe dhe një Evropë të bashkuar. Rafael Newman, poet, kantautor, lektor në disa universitete nga Zvicra pjesëmarrës në këto takime lexoi në teatrin e Pejës. Hava Pinhas Cohen nga Izraeli, laureate e Çmimit “Lirika” e Azem Shkrelit, falenderoi popullin shqiptar për shpëtimin e hebrenjve gjatë holokaustit.
Laureati i Çmimit Ndërkombëtar Letrar “Azem Shkreli 2019” shkrimtari dhe poeti i njohur austriak, Hemuth A Niederle, thellësisht i emocionuar për nderimin me këtë çmim të madh, u shpreh se pas kësaj dite ai do të jetë edhe më tepër zëri i Kosovës në botë, duke bërë të mundur që shteti më i ri i Evropës të integrohet përmes kulturës përveç politikës.
Po ashtu u shpallën fituesit e çmimeve Letrare për poezi.
Çmimi Besa-besë shkoi për poetin Flamur Shala me poezinë Këngë Qiparisi, me rastin e 120 vjetorit të lidhjes së Pejës.
Çmimin për poezinë më të mirë nga 80 poezitë konkurruese e fitoi Xhevat Latifi me poezinë Pentza ose dashuria për ujin, kushtuar Pejës.
Çmimi “Liria “ shkoi për poeten Naime Beqiraj me poezinë Republika.
Çmimi “Besa-besë “ iu nda poetëve Flamur Shala me poezinë Këngë Qiparisi, dhe Festim Avdyli, me rastin e 120 vjetorit të lidhjes së Pejës.
I rëndësishëm ishte çmimi Bulëzat për nga tradita e Manifestimit, i cili këtë vit iu nda Dea Halimit.
Emra të shquar prominent nga Shqipëria e Kosova, si Erenestina Halili Gjergji, Aleksandër Çipa, Nikolin Gurakuqi, Anton Nikë Berisha promovuan veprat e tyre gjatë këtyre takimeve.
Në Galerinë e arteve të Pejës lexuan autorët shqiptarë dhe të huaj.
Hava Pinhas Cohen lauréate e Çmimit Lirika e Azem Shkrelit , pati një bisedë me poetët pjesëmarrës, pas ceremonisë së çmimit.
Në teatrin e qytetit të Pejës, Istref Begolli, lexuan poetët e huaj dhe vendas.
Ndër autorët e huaj, që lexuan ishin Antonio Della Rocca, Helmuth A Niederle, Rafaël Newman dhe Hava Pinhas Cohen. Po ashtu nga autorët shqiptarë Dije Demiri Frangu, Majlinda Bregasi, Flamur Shala , Rozafa Shpuza, Odise Plaku, Naime Beqiraj, Nikollë Lokaj, Mimoza Rexhvelaj, Irena Gjoni, Besim Perjuci dhe shumë të tjerë.
Autorët e huaj ishin përkthyer nga Entela Kasi. Moderimet e aktiteteve u realizuan nga Ilire Zajmi Rugova dhe Vjollca Dibra .
Gjatë këtij Manifestimi pati si gjithmonë edhe performancën e valles tradicionale të Rugovës e cila mblodhi bashkë shqiptarët dhe të huajt.
Komuna e Pejës nderoi me pllakatin e mirënjohjes të gjithë autoritetet e PEN International, dhe me certifikatën e mirënjohjes të gjithë pjesëmarrësit.
Një emocion i veçantë ishte udhëtimi drejt Rugovës, në nderim të Azem Shkrelit dhe Ibrahim Rugovës. Të huajt mundën të marrin me vete bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të këtij rajoni të rëndësishëm për Kosovën.
Drejtoria për kulturë rini dhe sporte, e po ashtu Komuna e Pejës, ishin përgjatë këtyre ditëve mikëpritës të TNL Azem Shkreli.
Presidentja e PEN Qendrës së Shqipërisë , Entela Kasi, dhe Kryetari i komitetit të shkrimtave për paqe në PEN International, së bashku me z. Flamur Shala, dhe Ilire Zajmi nderuan me certifikata të mirënjohjes TNL Azem Shkreli, po ashtu edhe z . Aver Husaj për kontribute të çmuara në Kulturën Kombëtare. Ndërsa u nderua me Titullin e lartë të Mirënjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare mjeshtri i polifonisë, poeti dhe studiuesi Lefter Çipa nga Shqipëria, njofton Klan Kosova.