Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu është deklaruar lidhur me mungesën e një anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Duke mos dhënë detaje rreth të drejtës së përfaqësimit të partive në KQZ, ajo para mediave ka deklaruar se është e rëndësishme që të respektohet fuqia e subjekteve politike që ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, ajo nuk e sheh si nguti zgjedhjen e këtij anëtari, pasi sipas saj, nuk rrezikohet bllokimi i KQZ-së si pasojë e kësaj.
“Sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë dhjetë anëtarë për momentin në KQZ, në total janë 11 anëtarë. Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet për emërim edhe të një anëtari unë do ta trajtoj këtë çështje me seriozitetin më të lartë. E rëndësishme ka qenë për mua që të kuptoj nëse do të bllokohet KQZ-ja në rast se nuk e ka një anëtar. Kam marrë informacione që asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë, prandaj do të veproj në përputhje me përgjegjësitë atëherë kur e konsideroj që duhet të veproj”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se për anëtarin e fundit në KQZ, ajo i ka pranuar dy kërkesa.
“I kam dy kërkesa njëra nga VV-ja e tjetra nga PDK-ja, por ju e dini që mendimi im për këtë është tash e sa kohë jo prej momentit kur unë e kam marrë detyrën. E rëndësishme për mua është që të respektohet fuqia e subjekteve politike që ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.