Lajmet e fundit

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kampionëve të Greqisë, me zyrtarizimin që pritet të bëhet prej kësaj të hëne.
45-vjeçari i lindur në Gjakovë është përfolur prej disa javësh si alternativë për të drejtuar ekipin nga Pireu, por në orët e fundit gjithçka është konkretizuar dhe firma në kontratë duket vetëm çështje orësh, shkruan Gazeta Shqip, transmeton Klan Kosova.
Hasi ka marrë bekimin e klubit dhe këtë e konfirmon fakti se të shtunën e kaluar ai ndoqi finalen e Champions në Kardif përkrah drejtorit sportiv të Olimpiakos, Ousigios. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ka fituar garën me rumunin Razvan Luçesku që sezonin e kaluar drejtoi grekët e Ksanthit dhe portugezin Pedro Martins, që drejton Vitoria Guimaraesh.
Olimpiakos pritet të jetë ekipi i tretë për Besnik Hasin, pas Anderlehtit dhe aventurës së pafat te Legia Varshavë.
Emërimi në stolin e ekipit nga Pireu do të jetë një hap i madh në karrierën e trajnerit, edhe për faktin se bëhet fjalë për një prej emrave më të mëdhenj të futbollit jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Këtë sezon Olimpiakosi fitoi titullin e 44-rt kampion, trofeu i shtatë radhazi në Greqi. Dominimi i klubit nga Pireu në futbollin grek është i padiskutueshëm, me skuadrën që ka fituar 19 kampionate në 21 vitet e fundit.