Hulumtuesja në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Adelina Hasani, ka folur për situatën në Lindjen e Mesme, sidomos pas sulmeve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë ndaj Iranit.
Hasani tha se pritshmëritë janë që do të ketë një lloj hakmarrjeje nga Irani dhe sipas saj, ky shtet jo lehtësisht do t’i kthehet diplomacisë.
“Ajo që po e dëgjojmë edhe përmes medieve ndërkombëtare është se një zë i fuqishëm vjen nga Irani që jo lehtë do të kthehet në diplomaci, por do përdorë forma të ndryshme të hakmarrjes”.
“Këtu duhet ngritur edhe një paralele, nuk mendoj që do të ketë një formë të njëjtë të hakmarrjes, sulm i njëjtë sic është bërë nga ShBA, pasi Irani është i frikësuar se situata mund të eskalojë dhe mund të përfshihen shtete të tjera të Lindjes së Mesme dhe Perëndimit, thjesht do të fillojë një luftë që na çon drejt Luftës së Tretë Botërore”, tha Hasani në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ajo foli edhe për format e sulmeve që mund t’i përdorë Irani, duke thënë se forma e sulmit klasik ushtarak nuk do të jetë një zgjedhje, por më shumë do të jenë sulmet kibernetike.
“Edhe pse nuk do të ketë zmbrapsje dhe deklaratat janë të tilla, nuk mendoj se do të jetë forma e sulmit klasik ushtarak, më shumë do të jenë sulmet kibernetike që do të mundohen zbutet ky sulm dhe mos të eskalojë më shumë situata në Lindjen e Mesme”, u shpreh ajo.
https://www.youtube.com/watch?v=Bh8Zdj51gv0
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.