Për t’u hequr masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat po i sjellin dëme të mëdha vendit, institucionet duhet të tregohen më bashkëpunuese ndaj kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar, pasi që duhet të dëshmohet se vendi është shtet serioz dhe që mund të mirëmbajë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera.
Kështu vlerëson drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i cili kërkon nga qeveria të tregohet më e përkushtuar në takimet me përfaqësuesit e BE-së.
Në një intervistë për KosovaPress, Zeka kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë në promovimin e potencialeve që ka vendi për tërheqjen e investitorëve të huaj. Derisa shton se investimet amerikane për periudhën janar-shtator 2023 janë rreth 47 milionë euro me origjinë nga ShBA-ja.
“Nëse shohim totalin e investimeve nga periudha janar-shtator të vitit 2023 që është diku pak më pak se 613 milionë euro, diku rreth 47 milionë e kësaj shume janë më origjinë nga ShBA-të. Vitin 2022 realisht investimet amerikane janë renditur në vendin e 10 dhe vitin 2023 deri në fund të shtatorit renditen diku aty. Si përqindje është 7 për qind e totalit të investimeve të huaja që Kosova ka pranuar gjatë vitit 2022. Në dhjetor të viti 2022, në 3 mujorin e fundit ka pasur një rritje të menjëhershëm të investimeve amerikane. Presim që e njëjta të ndodhë edhe këtë vit, por shqetësimi kryesor mbeten sektorët ku bëhen këto investime. Sërish pas shumë viteve, ne me gjithë reformat që janë bërë në mjedisin e të bërit biznes, Kosova tërheq investime vetëm në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimeve. Kjo nuk mjafton që ne të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të krijojmë vende afatgjate të punës. Realisht hapja e impianteve prodhuese, industriale në vend është goxha e mangët përgjatë tërë vitit dhe sërish kjo na sjell tek kjo pasqyrë e investimeve të huaja të cilën e kemi", thotë Zeka.
Ndërkaq, zonën ekonomike amerikane në Gjakovë, ai e quan fatkeqësi nga ana e qeverive që nuk e kanë marrë me prioritet jetësimin e saj. Ai thotë se qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë të zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake, transmeton Klankosova.tv.
“Për fatkeqësi është që megjithatë nuk është fare si prioritet, as nuk është përmend asnjëherë nga ana e kësaj qeverie, d.m.th prej periudhës së vitit 2021 e tutje, edhe pse gjithmonë ka zënë vend si njëri prej rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane drejtuar Qeverisë. Ne nëse për hiç gjë, atëherë besojmë se vendimet e qeverive paraprake duhet të jetësohen, përndryshe Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve potencial, në këtë rast amerikanëve, pra dhe para partnerëve tjerë. Qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake, përndryshe dalim jashtëzakonisht qesharak”, thotë Zeka.
Duke renditur sfidat në aspektin e zhvillimit të vendit, Zeka konsideron se shteti duhet të investojë më shumë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, pasi sipas tij është më lehtë për bizneset në të bërit biznes.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.