Lajmet e fundit

Përzgjedhësi i Danimarkës, Age Hareide, ka mbajtur konferencë për media në prag të ndeshjes me Kosovën.
Hareide tha se “kjo është një mundësi e mirë për lojtarët që nuk janë paraqitur për kombëtaren daneze të luajnë në ndeshjen ndaj Kosovës”.
Shefi i shtabit teknik theksoi se gjithë lojtarët që ka në dispozicion ai do të kenë rastin të paraqiten në lojë.
“Të gjithë lojtarët janë në top formë, do të ketë edhe emra të njohur në fushë kundër Kosovës,theksoi Hareide gjatë konferencës.
Ai tregoi edhe arsyen se pse e kanë përzgjedhur Kosovën për të luajtur, që sipas tij ka edhe arsye historike.
“Arsyeja pse e kemi zgjedhur Kosovën për të luajtur është për të përgatitur skuadrën sa më mirë para ndeshjes me Zvicrën. Por kjo ka të bëjë edhe me historinë që ish- reprezentacionet e ish-Jugosllavisë kanë qenë të mira me të cilat jemi përballur.Ne duam të luajmë kundër ekipeve që luajnë futboll mirë, edhe Kosova luan futboll mirë”.
Numri një i pankinës daneze foli edhe për kualitetin e Kosovës në futboll, ku tha se pika e fortë është sulmi me Rashicën dhe Zenelin.
“Kosova ka pikë të forta sulmin, ka lojtarë të shpejtë. Ka arritur të kualifikohet në fazën tjetër.Unë kam qenë trajner i Valon Berishës në të kaluarën. Janë disa lojtarë një që luajnë në Werder dhe Reims në Francë”.
Në konferencë nga gazetarët u pyet edhe për deklaratën e tij lidhur me ndeshjen i cili pati thënë se do të ishte stërvitje.
“Kjo ndeshje është ndeshje trajnuese e cila na mundëson të përgatitemi për ndeshjen kualifikuese kundër Zvicrës”.
Në konferencë pati edhe pyetje për lojtarët, që dhanë respekt për Kosovën dhe theksuan se kanë ardhur për fitore.
Kosova dhe Danimarka do të luajnë të më 21 mars 2019, në Stadiumin "Fadil Vokrri".