Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar atë si një tentim që, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën dhe dëmton rendin demokratik në vend.
Në një deklaratë publike, kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka thënë se çdo përpjekje për zgjedhje të njëanshme të Presidentit përbën “sulm ndaj shtetit të së drejtës” dhe rrezikon stabilitetin institucional të Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit,” deklaroi Hamza transmeton Klankosova.tv.
Hamza tutje thekson se veprime të tilla mund ta çojnë vendin drejt një situate të paqëndrueshme politike.
"Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri."
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që të respektohen institucionet dhe procedurat kushtetuese, duke apeluar edhe te qytetarët për vigjilencë ndaj zhvillimeve politike që, sipas saj, mund të dëmtojnë të ardhmen e vendit.
“Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij,” përfundon deklarata e kryetarit të PDK-së Bedri Hamza transmeton Klankosova.tv.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.