Publikimi i të dhënave personale të grave në internet po vazhdon të përdoret si mjet për t’i poshtëruar dhe frikësuar ato. Pas mbylljes së grupeve “AlbKings” dhe dënimit të atyre që autoritetet i identifikuan si administratorë të këtij grupi, aktiviteti i personave të tillë nuk u ndal.
Ata u riorganizuan sërish me të njëjtin qëllim: denigrimin dhe publikimin e paligjshëm të të dhënave të grave shqiptare. Javët e fundit, emisioni Kiks Kosova raportoi për këtë fenomen. Pas këtij raportimi, ata reaguan duke publikuar numrin e telefonit të gazetares së emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova, Ardiana Thaçi-Mehmeti.
Brenda pak orësh, telefoni i gazetares u mbush me thirrje dhe mesazhe me përmbajtje eksplicite nga burra të panjohur. Shkaku ishte publikimi i numrit të saj në një grup në platformën “Discord”, i cili numëron rreth 70 mijë anëtarë. Llogaria nga e cila u shpërnda numri ishte me emrin “Alluring 26”, e cila në përshkrimin e saj kishte vendosur një shprehje fyese ndaj grave. Bashkë me numrin e telefonit u publikua edhe fotografia e saj.
Vetëm pak minuta më vonë, gazetarja filloi të kontaktohej nga numra të ndryshëm të burrave kosovarë, të cilët i dërguan mesazhe eksplicite me përmbajtje ngacmuese seksuale. Kjo është hera e tretë brenda dy viteve që Thaçi-Mehmeti përballet me një fushatë të tillë denigruese. Të gjitha rastet, bashkë me emrat dhe materialet përkatëse, ajo i ka denoncuar dhe deponuar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili i doli në mbrojtje gazetares dhe u bëri thirrje institucioneve që, njëherë e përgjithmonë, të vihen para drejtësisë personat që qëndrojnë pas këtyre veprimeve
Po ashtu, nga ky institucion u bë e ditur se është angazhuar edhe avokati i tyre, Yll Zekaj, për ta përfaqësuar dhe mbrojtur gazetaren e Klan Kosovës, pasi rasti është paraqitur në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës.
Në përkrahje të Thaçi-Mehmetit dolën edhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, si dhe kolegë gazetarë, duke i ofruar mbështetje morale.
Kujtojmë se një rast i ngjashëm i kishte ndodhur edhe më herët gazetares, kur në vitin 2024 numri i saj ishte shpërndarë në grupin “AlbKings” në platformën “Telegram”. Më pas, ai grup famëkeq u mbyll dhe dy krijuesit e tij u dënuan - një mesazh që pritet ta marrin edhe personat që qëndrojnë pas grupeve të ngjashme në “Discord”. /Klankosova.tv
https://youtu.be/um0y8d0gsAI
●●●
HASHKRIMI NGA
herolind ademi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.