Lajmet e fundit

Rritja e çmimit të lejes vjetore të peshkimit nga 30 në 50 euro ka nxitur reagime të forta dhe përplasje mes peshkatarëve dhe Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës.
Debati mori përmasa më të mëdha pasi peshkatari nga Gjilani, Murat Milazimi, e cilësoi vendimin si “hajni” në rrjetet sociale, reagim që për pak sa nuk i kushtoi me revokim të lejes së peshkimit.
Më pas palët u sqaruan dhe leja nuk iu mohua, Milazimi thotë se pakënaqësia mbetet, duke e konsideruar çmimin të papërballueshëm, sidomos për komunat me mungesë të hapësirave dhe kushteve për peshkim. Ai paralajmëron se nëse vendimi nuk rishikohet, numri i peshkatarëve aktivë do të përgjysmohet.
Pakënaqësi të ngjashme shprehin edhe peshkatarë të tjerë nga rajone të ndryshme të Kosovës. Qazim Krasniqi nga Prishtina e cilëson çmimin “astronomik”, duke theksuar se pas analizave që ka bërë, Kosova rezulton më e shtrenjta në rajon pëveç Serbisë sa i përket lejeve të peshkimit. Ai vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit, ndarjen e kategorive, lirimet nga pagesa për grupe të caktuara, si dhe mungesën e barazisë sociale. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë duhet të përfshihet në rishikimin e çmimit, në përputhje me gjendjen ekonomike dhe realitetin rajonal.
Peshkatarët gjithashtu ngritën shqetësime për mungesë transparence financiare, duke pohuar se pagesat për leje bëhen pa kupon fiskal, si dhe për mungesë kontrolli në terren, peshkim gjatë periudhës së shumimit të peshkut dhe trajtim të pabarabartë të kategorive sociale. Ata paralajmërojnë se vendimi aktual mund të sjellë refuzim të pagesave dhe konflikte në terren.
https://www.youtube.com/watch?v=YHqGg6i5wZYNga ana tjetër, kryetari i Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës, Milaim Vitija, mohon akuzat për keqpërdorim dhe thekson se vendimi për rritjen e çmimit është marrë nga Bordi i Federatës dhe jo individualisht. Sipas tij, rritja e tarifës është e nevojshme për funksionimin e federatës, organizimin e garave dhe forcimin e luftës kundër peshkimit ilegal, përfshirë përdorimin e rrjetave, gjeneratorëve dhe dinamitit. Vitija thotë se kritikat kryesisht vijnë nga persona që nuk janë peshkatarë sportivë dhe paralajmëron masa të ashpra ndaj shkelësve të rregullores.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar se përcaktimi i çmimit të lejes së peshkimit është kompetencë e federatës, bazuar në Ligjin për Peshkatari dhe Akuakulturë. Njohësit e fushës vlerësojnë se vendimi është ligjërisht i qëndrueshëm, por theksojnë se aspekti i drejtësisë sociale dhe transparenca financiare mbeten çështje për debat dhe rishqyrtim.
Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në videot e mëposhtme.