Menaxheri në ardhje i Manchester City-it, Pep Guardiola, nuk do të lejohet të nënshkruajë me asnjë nga lojtarët aktualë të Bayern Munich-ut verën e ardhshme, njofton Klan Kosova.
Guardiola është takuar me drejtorin e City-it, Tixiki Begiristain, në Amsterdam javën e fundit, me të cilin po bënë planifikimet për përbërjen e ekipit anglez sezonin e ardhshëm.
Në Bayern kanë thënë se ata nuk kanë problem që Guardiola të takohet me përfaqësues të City-it edhe pse ende është pjesë e Bayern-it, por kryetari i nderit i klubit gjerman, Franz Beckenbauer, ka pohuar se nuk është e pranueshme që trajneri spanjoll të joshë ndonjërin nga lojtarët e Bayernit.
“Kjo nuk është e lejueshme të ndodhë”, i ka thënë ai Bild-it. “Nëse ka ndodhur atëherë kjo nuk është aspak në rregull, por megjithatë nuk e besoj se Guardiola do ta bënte atë”.
“Nga perspektiva ime, mendoj se është shumë e vështirë për të dyja palët – për Bayernin, por edhe për Pep-en. Gjithmonë ka spekulime”.
“Por, e kuptoj se ai dëshiron të mendojë për transferet që dëshiron t’i realizojë verën e ardhme me City-in. Prandaj nëse këto takime, si ai në Amsterdam, i bënë kur ka ditë pushimi, atëherë është në rregull, përderisa nuk lë anash punët e tij në Munich”, ka thënë Beckenbauer.
klankosova.tv