Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka vlerësuar lart ndikimin e menjëhershëm të dy afrimeve të reja, Marc Guehi dhe Antoine Semenyo, duke theksuar se skuadra e tij tashmë është në garë për titull, falë ndihmës së tyre.
Në një intervistë për TNT Sports, tekniku spanjoll u shpreh se mjaftuan vetëm pak minuta për të kuptuar cilësinë e lojtarëve të rinj.
“Na u deshën vetëm pesë minuta në stërvitje ose gjithçka që pamë në ndeshjen e parë për ta kuptuar. Çfarë transferimi ka bërë Man City! Ata janë të rinj dhe do të jenë këtu për shumë vite. Kanë mbështetjen e duhur dhe jam i lumtur që tashmë po luftojmë për tituj”, deklaroi Guardiola, transmeton Klankosova.tv.
Dy lojtarët janë transferuar gjatë merkatos së dimrit nga Crystal Palace dhe Bournemouth për një shumë totale prej rreth 100 milionë eurosh, duke rritur ndjeshëm konkurrencën në skuadër.
Guardiola foli edhe për çështjen e shiritit të kapitenit, pas largimit të Bernardo Silvës në fund të sezonit. ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që Marc Guehi të marrë këtë rol.
“Guehi? Pse jo! Trajneri ose shokët e ekipit do të vendosin, por ai ka përvojën për ta bërë këtë. Ai udhëheq me shembull dhe është një nga profesionistët më seriozë që kam takuar ndonjëherë. Që kur mbërriti, kujdesi që i kushton trupit të tij është i pabesueshëm. Ai mendon për futbollin 24 orë në ditë”, përfundoi Guardiola.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.