Lajmet e fundit

Personazhet femra jobesnike të letërsisë, Femra që iu dhanë pasionit duke thyer kodet e moralit… Historitë e tradhtive më të mëdha në letërsi, që do të ktheheshin në promotorët e parë të rolit të gruas në shoqëri, duke thyer mentalitete për të krijuar botëkuptime të reja… Ana Karenina, zonja Bovari, Margarita, Ester Prini apo Donika e Dritëro Agollit, vijnë në një rrëfim më të thellë në revistën letrare “Saras”, e cila këtë numër i ka dhënë hapësirë zërit të tyre…
Ishte Helena (Homeri, Iliada) ajo që e tradhtoi Menelaun. Gruaja që shpesh është e trishtë, me gjithë mëdyshjet që ka ndaj Paridit, hidhet në krahët e tij.
Prej vitesh kritika botërore përpiqet të shohë përtej këtij veprimi të një prej personazheve më të hershme të letërsisë greke. A duhet Helena të tradhtonte të shoqin me Paridin? Në vitet nëntëqind, një tjetër grua, zonja Shatërlej, e martuar me një burrë të pasur, kalon orë të gjata dashurie në fshehtësi me një djalosh simpatik.
Franceska Da Rimini është tradhtarja më e madhe e letërsisë italiane. Në këngën e pestë të Ferrit, ajo kapet mat nga i shoqi teksa takonte të dashurin Paolo dhe vriten.
Në Rusi, Ana Karenina vazhdon të na trishtojë sot me fundin e saj, ashtu si zonja Bovari vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi raportin e dëshirës me moralin.
Është e gjatë lista e femrave “tradhtare” në letërsi. Mijëra libra kanë treguar anën e fshehtë të raporteve njerëzore, të ngritura shpesh mbi kode dhe kufij që gjithnjë janë shkelur.
Më shumë se “tradhtare” këto personazhe kanë qenë modele ndërgjegjësimi për shoqëritë ku të drejtat e gruas ishin pothuajse të mohuara, duke u kthyer në promotore të lëvizjeve që më vonë do të quheshin feministe dhe do të sillnin më zhvillim.
Këto personazhe thellësisht të trishta në jetët e tyre, janë mënyra për të treguar se letërsia ka qenë gjithnjë në pararojë të emancipimit të jetës dhe askush më mirë se ajo nuk ka depërtuar mureve të vërteta brenda njeriut.
Numrin e saj të 11 revista letrare “Saras” ua kushton këtyre personazheve, duke bërë një udhëtim në galerinë e madhe të letërsisë botërore, për t’u ndalur më pas te letërsia shqipe, ku dhjetëra histori të tilla gjenden në rrëfimet e Dritëro Agollit shkruar që pas viteve 1960.
Nuk mungon në këtë numër as kritika apo proza dhe poezia e zgjedhur.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.