Lajme aspak të mira vijnë nga skuadra e KB Vëllaznimit, duke shqetësuar tifozët e skuadrës gjakovare.
Ylli i ekipit, Jericole Hellems, ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme ndaj Borës dhe ende nuk dihet saktësisht sa do të mungojë.
Megjithatë, indikacionet e para flasin për një dëmtim serioz, që mund ta mbajë jashtë parketit për një periudhë më të gjatë sesa pritej fillimisht.
Amerikani u detyrua të largohej nga loja 3 minuta e 11 sekonda para përfundimit, në momentet kur skuadra kishte më së shumti nevojë për kontributin e tij, duke mos mundur të rikthehet më në parket.
Hellems është një nga shtyllat kryesore të Vëllaznimit ku deri më tani këtë edicio ka qenë në formë të shkëlqyer, me një mesatare prej 21.1 pikësh, 6 kërcimesh dhe 2.8 asistimesh për ndeshje.
Mungesa e tij në këtë fazë vendimtare të sezonit përbën një goditje të madhe për ekipin.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se në fundjavën e ardhshme, Vëllaznimi zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, derbin direkt për mbijetesë ndaj Rahovecit në Gjakovë.
Të dy skuadrat aktualisht ndajnë pikë të barabarta dhe pozicionohen në vendet 7 dhe 8 në fund të tabelës./Klankosova.tv
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.