Analisti nga Shqipëria, Flogert Muça tha se marshi “Drejtësi, jo politikë”, e zhvilluar sot në Prishtinë me mbi 130 mijë pjesëmarrës, nuk ishte vetëm një protestë madhështore në Kosovë, por një shprehje e kombit shqiptar në tërësi.
Ai theksoi se kjo protestë ka rëndësi historike dhe përfaqëson reagim të fortë të shqiptarëve ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
"Protesta që ndodhi sot në Prishtinë nuk është thjesht protesta më e madhe që ka ndodhur në Prishtinë, por është protesta më e madhe që ka ndodhur në kombin shqiptar. Nuk është vetëm një qëndrim i shqiptarëve të Kosovës, por i kombit shqiptar", u shpreh Muça në “Rubikon” i cili po transmetohet direkt nga Haga.
Në lidhje me mundësinë e një dënimi për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muça shprehu shqetësimin se një vendim i tillë mund të shkaktojë pasoja të rënda për të gjithë rajonin.
“Ky gjyq nuk është vetëm për fatin e katër individëve, por për fatin e një lufte çlirimtare dhe të një kombi që ka luftuar për liri", tha ai, duke shtuar se, nëse vendimet gjyqësore do të ishin në dëm të liderëve të UÇK-së, mund të shndërrohej Ballkani në një rajon të pasigurtë dhe të tensionuar, që do të dëmtonte stabilitetin e gjithë rajonit.
“Ai vendimi i pas tre muajve, nuk është një gjyq që do të vendosë fatin e katër individëve, por gjyq që nuk vendos thjesht fatin e Kosovës. Si e kam parë unë, involvimin e ShBA-së dhe ndërkombëtarëve, në qoftë se gjyqi do të përfundojë dhe të jetë në disfavorin e komandantëve, kam frikë se Ballkani nuk do të jetë më ky që është, por do të kthehet në Ballkanin, fuqi e barutit. Sepse protesta që ka ndodhur sot dhe reagimet e sotme, tregojnë që shqiptarët në këtë pikë të historisë e kanë ndarë mendjen. Nëse historia do të tentohet të devijohet me vendime gjyqësore kam frikë se ne do të reagojmë, sepse nuk bëhet fjalë për fatin e katër komandantëve, por për fatin e një lufte çlirimtare dhe fatin e një kombi që ka luftuar për liri”, deklaroi analisti shqiptar, njofton Klankosova.tv.
https://www.youtube.com/watch?v=I9HYfJncwjo
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.