Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 37-të të ZPS-së, Shefqet Kabashi, pasditen e sotme, ka rinisur dëshmia e dëshmitarit të mëparshëm, të 36-të, Sadik Halitjaha, në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.
Sadik Halitjaha ishte zëvendës komandanti i Zonës së Pashtrikut.
Dëshmitari Halitjaha u pyet rreth çështjeve të ndryshme, por kryesisht lidheshin më gjërat që ai ka shkruar në librin e tij.
Ai u pyet edhe rreth një akademie për të ushtruar ushtarët e UÇK-së, e cila sipas Halitjahës ishte në plan të realizohej, por nuk arriti kurrë të krijohej, por një kryetar i saj ishte zgjedhur.
I pyetur nga mbrojtja e Kadri Veselit, se a pajtohet se lufta kishe përfunduar më shpejtë se sa ishte menduar, Halitjaha u përgjigj kështu: “Për neve nuk ishte e shkurtër, nuk është lehtë të jetosh nëpër kanale, për neve ishte shumë e gjatë, por ndërkombëtarët reaguan më shpejtë se në Bosnje, dhe mirë që bënë ashtu”, njofton Klankosova.tv.
Po ashtu dëshmitari u pyet se si ata komunikonin me shtabin e përgjithshëm, dhe se sa kishte komunikim ai me ta.
“Komunikimi me shtabin e përgjithshëm ka qenë i vështirë, nuk kemi pasur telefona, një ka qenë, që e kam shfrytëzuar vetëm pesë ose gjashtë herë, se sa ka folur dhe komunikuar Tahir Sylejmani me shtabin nuk e di, por për informacione kemi pasur kosova press si gazetë tonën”, ka deklaruar Halitjaha.
Disa nga pyetjet ishin edhe nga libri i tij, për diagramet që ai i kishte shfaqur në libër.
Për këto ai tha se diagrame të tilla në atë kohë nuk ka pasur, thjesht ka dashur ta paraqes se si është dukur në të vërtetë nëse do t’i kishin pasur ata.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.