Lajmet e fundit

“Dispozitat e kontestuara mund të cenojnë strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës, pasi u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në gradën e Rreshterit të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën Toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita mbikëqyrëse”, thuhet në arsyetimin e padisë.Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, Gjykata Supreme ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së posaçme të sigurimit, të parapara me nenin 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se “paditësja ka ngritur pretendime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara, duke përfshirë pretendimet për tejkalim të autorizimit ligjor, cenim të parimit të meritokracisë, ndikim në hierarkinë dhe zinxhirin komandues, si dhe mungesë proporcionaliteti dhe arsyetimi”. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku që vazhdimi i procedurës së gradimit të shkaktojë pasoja që do të ishin të vështira ose të pamundura për t’u korrigjuar më vonë.
“Në vlerësimin paraprak të kërkesës, Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit të bazuara në to. Gjykata vlerësoi gjithashtu se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtyre dispozitave nuk cenon rëndë interesin publik, ndërsa është në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, thuhet në vendim.Sipas Gjykatës Supreme, përfundimi i procedurës së gradimit para se të merret një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara mund të krijonte pasoja të pakthyeshme.
“Duke pasur parasysh se procedura e gradimit është iniciuar mbi bazën e dispozitave që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe se përfundimi i saj para vendosjes meritore do të mund të krijonte pasoja të pakthyeshme, Gjykata konsideroi se ruajtja e gjendjes ekzistuese përmes masës së posaçme të sigurimit është e nevojshme deri në vendimin përfundimtar”, theksohet në arsyetim.Gjykata Supreme ka sqaruar se ky vendim është marrë vetëm në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon epilogun përfundimtar të padisë. Vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 do të merret pas shqyrtimit të plotë të rastit në procedurën gjyqësore përkatëse.