Lajmet e fundit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka pranuar si të bazuar ankesën e ish-ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, i cili kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 22 shtatorit 2021.
Rrethanat e rastit konkret, sipas Gjykatës Kushtetuese, ndërlidhen me lirimin e parashtruesit të kërkesës nga detyra e Ambasadorit të Kosovës në Slloveni nëpërmjet një dekreti të Presidentes Vjosa Osmani, raporton Klankosova.tv.
Kundër dekretit të Presidentes, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i Presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t'i nënshtrohet vetëm procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme”, njofton Kushtetuesja.
Ndërkaq, ish-ambasadori Kastrati pretendoi se, “duke mos vlerësuar ligjshmërinë e dekretit të kontestuar, gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me ligj”.
“Kjo sepse, mes tjerash, parashtruesit të kërkesës i ishte mohuar e drejta për të përdorur mjetet juridike efektive në gjykatat e rregullta për të mbrojtur të drejtat e tij subjektive”, thotë Gjykata Kushtetuese.
Gjykata më tej thotë se ka vlerësuar se “thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me të drejtën për ‘qasje në drejtësi’, si pjesë përbërëse e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Kushtetuesja, në aktgjykimin e saj, konstatoi se “dekreti i kontestuar i Presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës, ngërthente të ‘drejta civile’ të parashtruesit të kërkesës dhe ‘kontest’ apo ‘mosmarrëveshje’ në kuptim të së drejtës për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për pasojë, dhe edhe duke u bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm, i takon grupit të dekreteve të karakterit individual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta”.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se “hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për ‘qasje në drejtësi’ në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konkludoi se, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i 22 shtatorit 2021, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i 1 qershorit 2021, “nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. /Klankosova.tv