Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve A. R., M. D. dhe Z. H., për kryerjen e veprave penale “dhënia e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit”.
Bëhet e ditur se i pandehuri A. R. nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, gjatë mesit të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Gjilan, në mënyrë të tërthortë ka dhënë ryshfet në shumë prej 10 mijë euro personit zyrtar M. D., që ta regjistrojë në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Vitisë si shtetas të Republikës së Kosovës, ashtu që pas dhënies së ryshfetit i pandehuri A. R. ka pranuar ekstraktin nga regjistri qendror i gjendjes civile nga zyrtari M.D., e më pas ka aplikuar dhe është pajisur në mënyrë të kundërligjshme me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se i pandehuri M. D., me datë 22.12.2021, në kohë të pavërtetuar në Viti, me qëllim që të përfitojë dobi për vete apo personin tjetër, dobi e cila nuk i takon, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, përkatësisht ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në atë mënyrë që duke qenë në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Vitisë, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme regjistron të pandehurin A. R. nga Kumanova si shtetas të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq i pandehuri Z. H., në kohë të pavërtetuar në Gjilan, me qëllim të rregullimit të nënshtetësisë së Republikës së Kosovës, nga i pandehuri A. R. ka marrë shumën prej 10 mijë Euro me qëllim që të njëjtat t’ia dorëzonte të akuzuarit M. D. – zyrtar në gjendjen civile në Komunën e Vitisë, me ç’rast pas dhënies së tërthortë të ryshfetit i pandehurit A. R. nga zyrtari M. D., ka pranuar ekstraktin e lindjes dhe certifikatën me shënimet personale të tij.
Nga Gjykata theksojnë se me këto veprime, i akuzuari A. R. ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit” dhe trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti dhe gjobë në shumën prej 500 Euro.
“I akuzuari M. D. ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autorizimit’ dhe trupi gjykues i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike ose në shërbim publik për 2 vjet, pasi që i njëjti të mbajë dënimin e shqiptuar me burgim”.
“I akuzuari Z. H. ka kryer veprën penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”’ dhe trupi gjykues i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 Euro”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.
●●●
EVSHKRIMI NGA
E V
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.