Lajmet e fundit

Reshjet e mëdha të shiut shkaktuan përmbytje në shumë zona të vendit.
Një situatë alarmante paraqitet edhe në fshatin Zajm të Klinës.
Lidhur me gjendjen për Klankosova.tv detaje ka dhënë kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit, Metë Krasniqi.
Krasniqi deklaroi se për dy ditë nuk kanë pasur rrymë si dhe aktualisht nuk kanë ujë.
"Gjendja është e keqe. Për dy ditë s'kemi pasur rrymë, kjo për shkak se KEDS është detyruar ta ndal rrymën për shkak se uji ka filluar ta prekë edhe trafon e fshatit dhe kështu banorët kanë qenë të rrezikuar. Me rënien e nivelit rryma është lëshuar. Ujë nuk kemi", deklaroi Krasniqi për Klankosova.tv.
Ai theksoi se komuna deri më tani nuk ka intervenuar.
"Një familje është thuajse e bllokuar. Bodrumi i shtëpisë është vërshuar, njerëzit e kanë të vështirë të lëvizin. Komuna akoma nuk ka intervenuar. I kam ftuar zjarrfikësit, por që më kanë thënë se i kanë në dispozicion me vetëm dy pompa", theksoi ai.
"Jemi mobilizuar, e kemi larguar sado pak ujin, por tash me reshjet është përkeqësuar akoma më shumë", deklaroi Krasniqi.