Lajmet e fundit
Claudio Gentile që pati ndalur Armando Maradonën në Kupën e Botës të vitit 1982, ka shprehur dëshirë që ai të ishte 'juventini' i caktuar për ta ndalur yllin e Barcelonës, Lionel Messi.

Claudio Gentile u bë pjesë e historisë së futbollit pas markimit të jashtëzakonshëm që i pati bërë Maradonës në Kupën e Botës të vitit 1982.
Mbrojtësi ka shprehur dëshirën që të kishte mundësinë për të luajtur edhe në finalen e të shtunës, në Berlin, kundër Messit.
“Çfarë do të bëja? Të njejtat që i bëra në Sarria kundër Maradonës. Mbi të gjitha do të ishte moslejimi i tij për të marrë topin. Por, edhe nëse e merr, nuk do ta lejoja që ai të bënte lëvizjen që i jep përparësinë”.
“Do të dëshiroja shumë që ta markoja Messin. Do të doja që Juventus të më thërriste e të më thoshte: ‘Ti je njeriu që do ta ndalë Messin’. Kjo do të ishte një sfidë e bukur, siç ishte edhe ajo ndaj Maradonës”.
“Messi ndalet duke e mbajtur larg pjesës tjetër të ekipit. Juventus duhet të luaj ashtu që kur Messi të ngrejë kokën për të pasuar, të mos shohë asnjë bashkëlojtar të lirë. Kështu limitohen lëvizjet e tij. Po them limitohen, sepse ta ndalësh atë është e pamundur”.
“Mbrojtësi duhet të jetë i fuqishëm, por kur e them këtë nuk mendoj që të jetë dëmtues. Ka dallim të madh mes këtyre dyjave. Mbrojtësi është mbrojtës, jo valltar”.
Gentile pati ndalur në mënyrën më të mirë të mundshme Maradonën, në kohën kur ai shkatërronte të gjithë mbrojtësit që i dilnin përpara.