Interesimi i madh për të shikuar nga afër ndeshjen finale të "play-off"-it mes Kosovës dhe Turqisë, vuri në pah nevojën e vendit për stadium kombëtar.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi tha se Kosova ka nevojë për një stadium të ri kombëtar me kapacitete më të mëdha pasi siç tha ai në duelin e fundit të "Dardanëve" ishin mbi 400 mijë kërkesa për bileta, raporton KlanKosova.tv.
Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në Edicionin Special në Klan Kosova tha se gjatë kohës sa ishte në krye të këtij dikasteri, hapi i parë që kishte bërë ishte ideja e fillimit të ndërtimit të stadiumit kombëtar për të mbuluar nevojat sportive të kombëtares dhe klubeve vendore.
"Ne me të marrë detyrën në vitin 2017 hapin e parë që e kemi bërë ka qenë ideja për me fillu ndërtimin e stadiumit kombëtar, kjo gjithmonë ka lind si kërkesë edhe prej FFK edhe prej kombëtares sonë, por edhe prej klubeve të ndryshme pasi Prishtina ka vetëm një stadium që i plotëson kushtet për lojërat ndërkombëtare, edhe atë e kemi rinovuar gjatë periudhës sa kam qenë ministër i Sportit", tha fillimisht Gashi.
Ish-ministri tha se stadiumi kombëtar ishte planifikuar të ndërtohej në Korroticë të Epërme të Drenasit, për shkak se kjo hapësirë nuk do t'i kushtonte asgjë buxhetit të Republikës së Kosovës.
"Kur bëhet fjalë për stadiumin kombëtar, ne e kemi iniciuar edhe hartimin e projektit të fizibilitetit dhe të njëjtin e kemi përfundu si proces. Natyrisht se ka marrë një kohë për shkak se janë projekte të mëdha, projekte ndërkombëtare, që Kosova nuk i ka pasur deri në këtë kohë. Po ashtu në atë kohë e kemi siguruar edhe hapësirën ku do të ndërtohej stadiumi në Korroticë të Epërme, një hapësirë e madhe e cila buxhetit të Republikës së Kosovës i ka kushtuar zero euro, sepse ajo ka qenë hapësirë që është menaxhuar nga komuna e Drenasit", tha tutje Gashi. /KlanKosova.tv.
https://www.youtube.com/watch?v=1llfou4JFnA
●●●
EKSHKRIMI NGA
Endrit Krasniqi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.