Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar sot përfaqësuesit e klubit basketbollistik Z-Mobile Prishtina, pas suksesit të arritur ku u kualifikuan në mesin e 16 ekipeve më të mira në FIBA Europe Cup.
Bardhekaltërit e kryeqytetit kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në Lituani, ku shënuan fitoren e tretë në kuadër të grupit E, triumf ky që u ka siguruar kryeqytetasve për herë të parë në histori të klubit, kalimin në fazën e dytë grupore në këtë garë evropiane, njofton Klan Kosova.
“Si ministër dhe si ministri do të jemi bashkë me ju do të ju mbështesim deri në maksimum tash, jemi në finalizim të ligjeve që do të stimulojnë edhe më tej përkrahjen e sportit. Ju inkurajoj që t’i shfrytëzoni këto përparësi ligjore”, porositi ministri Gashi.
Gashi po ashtu kërkoi që basketbollistët të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet, ku edhe ju premtoi mbështetjen e plotë të ministrisë që udhëheq.
Drejtuesit e klubit dhe basketbollistët premtuan se në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë do të përfaqësojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm klubin por edhe Kosovën.
●●●
NSHKRIMI NGA
NP
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.