Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka vizituar kullën e familjes së Fazli Boqollit në Raushiq.
Gjatë kësaj vizite, Gashi ka parë nga afër punimet që po bëhen në këtë kullë, investim i MKRS-së.
Ai u shpreh i kënaqur me punimet që janë duke u realizuar në këtë kullë dhe tha se “Si ministri, kemi ndarë mjete të mjaftueshme sipas kërkesës së Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, me qëllim që këtë kullë, por edhe kullat e tjera në rrafshin e Dukagjinit t’i restaurojmë, sepse këto kulla kanë domethënie jashtëzakonisht të madhe dhe historike të periudhave të ndryshme”.
“Ne jemi të përkushtuar që t’i ruajmë dhe t’i rikthejmë këto kulla në funksion, varësisht prej rolit që kanë pasur në të kaluarën dhe tani dhe besoj që edhe viti 2019 do të jetë vit i veçante sa i përket investimeve në këto kulla” ka thënë ministri Gashi.
Gashi i përgëzoi familjarët për bashkëpunimin, dhe gatishmërinë që këtë kullë ta rikthejmë në funksion, sepse në shumë lokalitete, kullat e tilla, tashmë janë shkatërruar. Por këto që ekzistojnë, jemi të interesuar si ministri që t’i funksionaliojme.
Ndërkaq, drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Pejë, Shpresa Gjonbalaj falënderoi ministrin për mbështetjen dhe angazhimin që ka shprehur për t’i parë nga afër punimet e restaurimit të kullës së Fazli Boqollit.
Kurse, kryefamiljari Fazli Boqolli falënderoi ministrin Gashi për kontributin dhe angazhimin që ka treguar për restaurimin e kësaj kulle me vlera historike po ashtu shprehu falënderim për të gjithë ata të cilën janë angazhuar rreth këtij restaurimi.
Kulla përmban karakteristikat e objekteve fortifikuese familjare, e që janë tipike edhe për ndërtimin e tipit të njëjtë në Rrafshin e Dukagjinit. Si ndërtim u realizua në gjysmën e dytë të shek. XVIII-të.
Monumenti disa herë ka pësuar djegje, fillimisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është djegur e mandej është rinovuar pa humbur elementet bazë të kullës. Edhe gjatë luftës së fundit 1998/99, nga forcat serbe kulla u dogj, duke lënë vetëm muret të cilat në mungesë të intervenimit po rrënohen vazhdimisht.
Për këtë arsye MKRS-ja për shkak të të vlerave saja si në aspektin arkitektonik, historik, shoqëror e shpirtëror e ka vlerësuar që sa më parë të intervenojë në këtë monument, transmeton Klan Kosova.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.