Carlo Ancelotti iku me shpejtësi nga kabina e ekipit dhe me shpejtësi iu drejtua tunelit, për të mos u kthyer më. Real Madrid sapo ishte eleminuar nga Liga e Kampionëve dhe veç në rast të ndonjë mrekullie do të fitonte ligën, ndërsa në anën veriore të fushës gëzonin lojtarët e Juventusit me tifozët që poashtu gjendeshin në veri: në tribunën veriore. Mbarimi i një sezoni pa trofe është zakonisht mbarim i trajnerit në Santiago Bernabeu dhe me dy ndeshjet e fundit, ndaj Espanyol-it dhe Getafe-s si i suspenduar, kjo ndoshta ishte e fundit herë që ai qëndronte në zonën e trajnerit në Santiago Bernabeu.
Italiani nuk kishte iluzione. Ai e ka ditur për një kohë të gjatë që mbështetja për të nga 'të mëdhenjtë' nuk ishte në nivel dhe humbja do të thoshte 'lamtumirë'. Autoriteti i tij ka qenë i ndrydhur nga Florentino Perez, presidenti që nuk beson në të, sepse ai nuk beson në asnjë trajner. Ancelotti e dinte këtë, ndaj pas ndeshjes ai iu nënshtrua fatit: "Do të dëshiroja të qëndroj, por unë e di mirëfilli si shkojnë gjërat në futboll. Ndaj, nuk dua të flas më shumë. Nëse klubi është i kënaqur, unë vazhdoj, nëse jo, ata marrin vendimin. Klubi vendosë për fatin e trajnerit".
Derisa Ancelotti doli në konferencë, drejtori sportiv, Emilio Butrageno kishte shmangur dy herë pyetjen e gazetarëve të Canal Plus për të ardhmen e italianit.
Në pyetjen - A do të vazhdojë Ancelotti?, Butrageno ishte përgjigjur: "Sot duhet të jemi të bashkuar; fitojmë dhe humbasim bashkë. Trishtimi është i të gjithëve. Tani duhet që ta përfundojmë kampionatin sa më mirë". As insistimi i gazetares për të ditur se a ndikon kjo në të ardhmen e trajerit nuk nxori përgjigjen e kërkuar. -Jemi të trishuar, gjithçka tjetër është dytësore, qe përgjigjur ai.
Butrageno mund të mos e dijë, që roli i tij është figurativ dhe se këto lloj vendimesh janë jashtë thirrjes së tij. Ose më mirë thënë, ai e dinte mirë. Të gjithë e dinin. Humbja shënonte fundin e erës së Ancelottit në Bernabeu. Bashkë me largimin, italiani do të merrte edhe barrën e fajit, diçka që trajnerëve të Realit u ka rënë barrë shpesh herë.
"Po të më pyesnin do të kërkoja që Ancelotti të qëndrojë, ngaqë ai është fitimtar, ani pse këtë vit nuk fituam gjë", pati thënë Marcelo. Thjeshtë dëshirë! Menaxherët nuk u shpëtojnë disfatave në Madrid. Së paku jo tri dekadat e fundit; asnjë trajner nuk ia ka dalë që të përfundojë sezonin duarbosh e të vazhdojë edhe një stinor.
Humbja e gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve nuk paraqet kurrfarë turpi, aq më pak kur të njejtët kanë fituar atë vitin paraprak edhe pse Marca e quajti "dështimi i shekullit".
Por, gjithçka do të ishte ndryshe, më e gëlltitshme, nëse nuk do të na kujtohej fakti që Real Madrid ka fituar titullin e ligës vetëm një herë në shtatë vitet e fundit. Nga dhjetë trajnerët e sjellë në tempullin madrilen prej Florentino Perez, në dy mandate, në dhjetë vite, vetëm Jose Mourinho, ia ka dalë të shpallet kampion i Spanjës.
Ancelotti fitoi trofeun e Champions, por kjo ndodhi vitin e kaluar, jo sivjet. Ndaj edhe viti i ardhshëm duhet të jetë i ndryshëm. Edhe ideja e zëvendësimit të Ancelottit me Zinedine Zidane është venitur dhe tani zëvendësimi po kërkohet mes ajkës së trajnerëve evropianë.
Puna e tij do të jetë menaxhimi i zhvillimit, jo ndryshimi. Ndërrimi i stilit të lojës së Crisitano Ronaldos, afrimi drejt lojës së një 9-te,do të kushtëzojë shumëçka. Siç mund ta bëjë edhe një ndalesë transferimesh nga Fifa. Nëse kjo e dyta nuk ndodhë, jetik është nënshkrimi me një mesfushor, që kurrsesi nuk do të thotë largim i Bale, por ndoshta ndryshim pozite. Edhe ardhja e David de Gea-s ka komplikimet e veta që lidhen me të ardhmen e Iker Casillas.
Kështu mund të fitojnë. Në Madrid humbjet paguhen shtrenjtë, diçka që e tha edhe vetë Perez, të mërkurën: "Asgjë nuk është e qëndrueshme në këtu, ky është ligji i Madridit, historia rishkruhet".
Po kujtojmë edhe një herë fjalët e Butrageno-s që tha: "Ne fitojmë e humbasim bashkë.", por me sa duket, disa humbasin më shumë se të tjerët.
klankosova.tv