Lajmet e fundit

“Që nga fillimi i angazhimit në këtë operacion, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke kontribuar me instruktorë dhe personel të specializuar në realizimin e programeve të trajnimit për ushtarakët ukrainas. Përmes këtij angazhimi, FSK ka dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë me forcat partnere dhe aftësi profesionale në mjedise shumëkombëshe”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.Përveç kontributit në kuadër të Operacionit “Interflex”, Republika e Kosovës ka dëshmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Ukrainës edhe përmes pjesëmarrjes në konferencat dhe forumet ndërkombëtare të dedikuara koordinimit të ndihmës për Ukrainën, si dhe përmes ofrimit të ndihmës konkrete në pajisje dhe donacione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Këto veprime pasqyrojnë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe solidaritetit me popullin ukrainas në përballje me agresionin ushtarak, duke e pozicionuar Kosovën si një partnere aktive dhe të përgjegjshme në përpjekjet e përbashkëta për siguri dhe stabilitet në Evropë”, theksohet në komunikatë.Në përfundimin e Operacionit “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar është organizuar ceremoni përmbyllëse ku u ndanë çmime dhe mirënjohje për punën, përkushtimin dhe kontributin e pjesëtarëve të FSK-së, gjatë realizimit të misionit.