Lajmet e fundit

Ky vend i vogël në afërsi të qytetit Mrkonjiq është ndoshta vendi më unik në botë, meqë ndër banorët boshnjakë dhe serbë nuk është regjistruar asnjë incident apo rast i vetëm gjyqësor.
Po ashtu pavarësisht luftërave dhe propagandave mes dy komuniteteve, intensiteti ne mes të marrëdhënies së tyre asnjëherë nuk ka ndryshuar.
Fshati është i ndarë gjeografikisht në dy pjesë: Baljvine i Epërm – ku banojnë boshnjakët dhe i Poshtëm ku banojnë serbët.
Vendasit nuk e fshehin faktin që gjatë viteve të 90-ta boshnjakët kanë qenë në situatë më të keqe, meqë nuk kanë guxuar të lëvizin jashtë fshatit, edhe pse aty brenda asnjëherë asnjë plumb armë nuk është shkrepur.
Serbët i kanë ndihmuar boshnjakëve, meqë siç rrëfejnë ata “Në atë kohë secili budalla ka mbajtur armë”. Ata e dinë se lufta askujt nuk i ka sjellë asnjë të mirë, por vetëm të këqija. Po ashtu edhe se duhet ndihmuar njëri tjetrin në momente të krizës.
Por për shkak të kësaj harmonie në mes të banorëve të këtyre komuniteteve, ata thonë se fshatin shteti ua ka lënë pas dore, me rrugë të pa rregulluara dhe me mungesë të ujit të pijes.
Në regjistrimet e vitit 1991, ky fshat ishte i banuar nga 1.140 banorë. Më të vjetrit e kujtojnë kohën kur xhamitë dhe kishat rinovoheshin në mënyrë paralele. Në Baljvine gjithmonë më e rëndësishme ka qenë të jesh njeri dhe asgjë jashtë kësaj.
Dnevne.rs shkruan se e kanë gjetur edhe një dëshmi të bisedës ndërmjet boshnjakut Shaban Habiboviq, i cili i kishte qëndruar ballë për ballë gjeneralit të ushtrisë serbe Momir Taliqit, kur ky i fundit kishte kërkuar takim me boshnjakët e këtij fshati:
Shabani: “Ne mund të vazhdojmë të jetojmë me fqinjët tanë serbë dhe nuk duam luftë”.
Momir: “Nëse qenka ashtu, a do të guxoje që tani të kaloje nga pjesa serbe e fshatit?”
Shabani: “Do të eci nëpër gjithë fshatin nëse është nevoja, unë nuk i frikësohem askujt” – ka thënë ai dhe është nisur për në rrugën e përmendur.
Kur është ndalur para një shtëpie serbe dhe me emër e ka thirrur pronarin, fqinji nuk ka filluar ta gjuajë me armë dhe as ta ofendojë – ashtu siç ka pritur komandanti Momir Taliq. Në vend të kësaj, ai ka shikuar nga dritarja dhe ka thënë: “Shaban, çfarë po ndodh? Të duhet ndihmë? Më prit, po vi, vetëm sa të vishem!”.
Pasi ishte dëshmitar i këtij takimi miqësor, Taliq ishte shumë i zemëruar me banorët e këtij fshati që nuk kanë pranuar të luftojnë me njëri tjetrin dhe u kishte thënë: “As ju myslimanët nuk jeni myslimanë të vërtetë dhe as ju serbët nuk jeni serbë të vërtetë – ju jeni një popull shumë i çuditshëm”, transmeton Klan Kosova.
https://www.youtube.com/watch?v=0oTHBMjR4EM&feature=youtu.be