Lajmet e fundit

Në edicionin special të emisionit Ora e Pasdites në Klan Kosova, i cili sonte është transmetuar nga studioja e improvizuar nga Prifest, i ftuar ishte aktori Blerim Destani, filmi i të cilit sonte jepet premierë.
Filmi “Frauen”, siç sqaron aktori, ka të bëjë me martesën, për një person i cili nuk është i lumtur në natën e martesës së tij dhe vendos të ikë nga gruaja. Por që gjatë këtij veprimi ai e kupton që pa gjininë femërore nuk ka jetë dhe që kompromisi duhet bërë, njofton Klan Kosova.
Blerimi po ashtu tregoi se ishte pak sfiduese xhirimi i këtij projekti filmik, meqë gjysma e filmit ishte xhiruar në makinë, ku ishin vendosur 8-9 kamera.
Filmi në përgjithësi ka të bëjë me të dyja gjinitë dhe martesën. Ndërsa rreth kësaj të fundit aktori u shpreh se së fundmi kanë ndryshuar gjërat, meqë tani martesa si për meshkuj ashtu edhe për femrat është shtyrë, dhe se njerëzit më nuk martohen aq herët si në kohët më të vjetra.
Kjo ka qenë hera e parë që Blerimi ka luajtur në një film komedi, dhe pas kësaj eksperience ai deklaroi se e ka kuptuar që ky zhanër është më i vështirë për t’u luajtur dhe se ka respekt për gjithë aktorët e komedisë, transmeton Klan Kosova.