Lajmet e fundit

Çmimi i lojtarit më të mirë për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll i takoi futbollistit të Llapit, Francisco Rivera.
Ky i fundit u vlerësua nga komisioni i veteranëve të futbollit.
Rivera pati paraqitje fantastike të enjten në fitoren e Llapit 1-4 kundër Ballkanit në stadiumin e qytetit në Suharekë. Meksikani ishte njeriu kyç që “Legjendat” e shijuan triumfin përballë kampionit në fuqi duke realizuar dy gola.
Pasi morri çmimin “Ylli javës”, Rivera u shpreh i lumtur.
“Jam i lumtur që e ndihmova ekipin tim për të realizuar fitore ndaj një ekipi të madh si Ballkani. Fitorja është rezultat i punës dhe angazhimit që po e bën i tërë ekipi çdo ditë. Nuk e filluam mirë këtë kampionat, por nga ndeshja në ndeshje jemi duke u përmirësuar dhe mendoj se tashmë 11-shja më e mirë tashmë është gjetur. Në ndeshjen e fundit kemi pasur një kimi dhe jemi kuptuar shumë mirë me njëri-tjetrin. Besoj se jemi në rrugën e duhur për të realizuar fitore tjera, në mënyrë që të luftojmë sërish për kreun e tabelës, siç kemi bërë çdo vit tjetër”, tha Francisco Rivera për faqen zyrtare të FFK-së, transmeton Klankosova.tv.
Me këtë fitore, Llapi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar u ngjit në pozitën e pestë duke tubuar 19 pikë, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e dytë me 27 pikë e tri ndeshje më pak.