Lajmet e fundit

Një shans i dytë mbi Tokë, për racat e dënuara me njëqind vjet vetmi. Fjalimi brilant i Gabriel Garsia Markezit, kur mori “Nobelin”
Nga Gabriel Garcia Markez:
Guxoj të mendoj, se është ky realitet i jashtëzakonshëm, dhe jo shprehja e tij letrare, që ka merituar vëmendjen e Akademisë Suedeze të Letrave. Një realitet jo në letër, por një që jeton brenda nesh, dhe përcakton çdo moment të vdekjeve tona të panumërta përditë, dhe që ushqen një burim krijueshmërie të panginjshme, plot me trishtim dhe me bukuri, ku ky kolumbian bredharak dhe nostalgjik, që jam unë, është thjeshtë një shifër më shumë, i puthur prej fatit. Poetë dhe lypsarë, muzikantë dhe profetë, luftëtarë dhe zabërhanë, të gjithë krijesa të atij realiteti të pafre, ne na është dashur vetëm pakëz imagjinatë, për problemin tonë thelbësor, që ka qenë mungesa e mjeteve tradicionale për t’i bërë jetët tona të besueshme. Ky, të dashur miq, është thelbi i vetmisë sonë
Antonio Pigafetta, një lundërtar fjorentinas në udhëtimin e parë përreth botës, shkruante, në lidhje me momentin e kalimit të tokave tona të Amerikës jugore, një rrëfim i saktë që megjithatë i ngjan një aventure në botën e fantazisë. Ai shkruan se kish parë derra me kërthizat në ijë, zogj pa kthetra që i lëshonin vezët në shpinën e zogjve meshkuj, dhe të tjerë, që ngjanin si pelikanë pa gjuhë, me sqepin si lugë.
Ai shkruan se kish parë një krijesë bastarde, me kokën dhe veshët e një mushke, trupin e një gamilje, këmbët e një dreri dhe hingëllimën e një kali. Ai përshkruan se si, të parit vendas që takuan në Patagonia, i dhanë një pasqyrë, dhe se si më pas, gjigandi humbi ndjenjat prej tmerrit të pamjes së tij.
Ky libër i shkurtër dhe magjepsës, i cili që atëherë përmbante farat e romaneve tanë modernë, është padyshim rrëfimi më mbresëlënës i realitetit tonë në atë epokë. Kronikat e Indive na kanë lënë dhjetëra rrëfime të tjerë. Eldorado, toka jonë kaq shumë e kërkuar dhe gjithmonë e pakapshme, është shfaqur në shumë harta, për një kohë shumë të gjatë, duke ndryshuar vendin dhe formën, për t’i shkuar për shtat fantazive të kartografëve.
Në kërkimin e tij për burimin e rinisë së përjetshme, mitiku Alvar Núñez Cabeza de Vaca eksploroi veriun e Meksikës për tetë vite, në një ekspeditë zhgënjyese, gjatë të cilës, pjesëtarët e saj hëngrën njëri-tjetrin dhe vetëm pesë prej tyre u rikthyen, nga gjashtëqind që ishin nisur. Një prej mistereve të shumtë e të pakuptueshëm të asaj epoke, është ai i 11 mijë mushkave, secila e mbushur me qindra kilogramë flori, që u nisën nga Cuzco një ditë, për të paguar haraçin e Atahualpas, dhe që nuk mbërritën kurrë në destinacion.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: