Finalja e Supërligës në Basketboll po karakterizohet me mungesën e tifozëve në tribuna - si në mbarë botën e sportit.
Klankosova.tv i ka intervistuar kryetarët e grupeve të tifozëve të këtyre dy skuadrave, për t'i pyetur se si e vlerësojnë këtë super ndeshje që do të luhet sonte pa prezencën e spektatorëve.
Kryetari i ‘Shqiponjave’, Emrah Drenica, i konsideron tifozët si motiv shtesë për klubin që ai përkrahë.
“Unë mendoj që mosprezenca jonë do të thotë shumë, ne jemi motivi shtesë që ata me na pru titullin në Pejë”.
Nga ana tjetër Kryetari i ‘Xhebrailave’, Korab Elshani, e cilëson si hendikep mosprezencën e tyre.
“Mosprezenca e ‘Xhebrailave’ në tribuna është një hendikep i madh për ne po ashtu edhe për skuadrën. Lojtarët tanë e dinë që ne jemi në çdo sekondë në zemrat e tyre”, tha Kryetari i ‘Xhebrailave’.
Klubi i Basketbollit Peja udhëton sot për në Suharekë, ku pas humbjes në ndeshjen e parë me rezultat 75:83, pejanët janë në kërkim të fitores së parë në këtë seri.
Peja sot luan ndeshjen e fundit pa Aj Walton, pasi ky i fundit ishte dënuar bashkë me Brandon Walters nga federata me dënim me gjobë dhe dy lojë mosparaqitje për klubin.
Edhe pse vendimi për dënimin e Brandon Walter u tërheq pasi që klubi i Pejës kishte dërguar ankesë në drejtim të federatës duke i cilësuar veprimet e dy lojtarëve amerikanë si vetëmbrojtje, vendimi për Aj Walton mbeti në fuqi.
Ndeshja e dytë e finales luhet sonte me fillim nga ora 20:15 në sallën e sportit “13 Qershori”.
Për shkak të masave kundër pandemisë, ndeshja luhet pa tifozë, por atë mund ta ndiqni drejtpërdrejt në Artmotion.
Kujtojmë disa raste ku tifo grupet kanë luajtur rolin e tyre si lojtarë të gjashtë.

●●●
NSHKRIMI NGA
N.Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.