Lajmet e fundit

Sonte është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të tetë të Prishtina International Film Festival – Pri Fest, edicion ky i nisur me 22 prill dhe i cili përfundoi sonte duke shpërblyer më të mirët.
Çmimin më të madh të festivalit e morri filmi “Gruaja e mirë” me regji dhe aktore Mirjana Karanoviqin.
Fatos Berisha nga PriFilmForum i ka ndarë çmimin për Best Pitch filmit “The Witch Hunter”, koproduksionit mes Serbisë dhe Maqedonisë, me regji të Jovana Karaulic.
Çmimi për filmin më të mirë të American School of Kosova ka shkuar për filmin “Fish”, dhënë nga Lulzim Bucolli, profesor në ASK, shkollë kjo e cila sivjet është bashkuar me PriFest, duke shkrirë kësisoj festivalin e filmit për studentët dhe projektet e tyre, shkruan kultplus. Ndërsa filmi “Shok” morri një mirënjohje speciale.
Best Green Film Project, kategori për filmat rreth ambientit, i ka takuar filmit Erjon Misinit, derisa çmimi i publikut në PriFest sivjet shkoi për “Our Everyday Life” nga Ines Tanovic, ku luan edhe shqiptari Uliks Fehmiu.
Me anë të Gjirafa.com qytetarët kanë mundur të votojnë edhe për filmin më të mirë nga platforma online, dhe ky çmim shkoi për “Free Party”, film që morri edhe çmimin për filmin më të mirë të metrazhit të mesëm.
Aktori më i mirë u zgjodh Assen Blatechki, ndërsa aktorja më e mirë u zgjodh Tihana Lazovic nga Kroacia. Regjisori më i mirë u zgjodh Kaan Müjdeci nga Turqia.
Juria e medias këtë vit shkoi për filmat “Mustang” dhe “10.000km”. FIPRESCI Award, për herë të parë në Kosovë, u nda këtë vit për projektin filmik “A blast”.
Filmi më i mirë evropian u zgjodh “Rams” me regji nga Grímur Hákonarson.