Festim Rexhepi është prodhues filmash, fotograf dhe operator nga Prishtina. Ka studiuar për televizion dhe regji filmi në Akademinë e Arteve. Aktualisht punon si operator profesionist në Klan Kosova.
Hobi e ka eksplorimin e natyrës dhe fotografimin. Në kohë të lirë luan tenis.
Revista NY Elite ka realizuar një intervistë me Festim Rexhepin për arsye se filmi i tij
garon në Festivalin Ndërkombëtar të Filmbërësve në New York (International Filmmaker Festival of New York), që është festival prestigjioz i filmit.
Faleminderit... Unë jam i emocionuar që filmi më është pranuar, në konkurrencë ndërkombëtare në IFFNY, jam i entuziazmuar dhe mezi pres që të jem prezent. Kjo për mua është më shumë se historike. Janë shumë filmbërës gjithandej botës që ëndërrojnë festivale të nivelit të lartë siç është IFFNY.
Ky është një sukses shumë i madh për filmin tim, pasi iu ka dhënë mundësia që të shfaqet në IFFNY. Gjithashtu, edhe për Kosovën, sepse do t’i tregoj vuajtjet e njerëzve të vendit tim dhe të rrëfej më shumë rreth luftës së vitit 1999 në Kosovë. Patjetër që puna artistike dominon më shumë në çfarëdo tregimi, andaj me siguri më është vlerësuar projekti.
Unë jam në këtë projekt si regjisor dhe producent. Është një përvojë aq e lehtë dhe sfiduese, sepse kam marrë përgjegjësi ta realizoj një film të shkurtër, por me temë të madhe.
Tema e projektit ka të bëjë me personat e pagjetur gjatë luftës të vitit 1999. Është temë edhe sot, flitet shumë në Kosovë, sepse ende janë 1666 persona të pagjetur.
NY Elite: Kush tjetër është i përfshirë në realizimin e këtij projekti? Na tregoni pak më shumë për historinë e filmit dhe kush është pjesë e tij.
Festim Rexhepi: Filmi im është bazuar në historinë e vërtetë të një nëne, e cila i ka të humbur 5 anëtarë të familjes së saj, ndërsa shtëpia e saj me nr. 57 sot është memorial shtëpi-muze.
Projektin e kemi nisur me Florentina Shalën, e cila ka kontribuar realizimin e filmit me përvojën e saj në gazetari, sepse e ka ndihmuar personazhin që të rrëfejë sa më shumë informata rreth historisë së saj. Muzika e kompozuar nga Arbër Krasniqi ka bërë që filmi të jetë edhe më i ndjeshëm.
NY Elite: Çfarë mesazhi synoni të përcillni me këtë projekt?
Festim Rexhepi: Unë personalisht e kam përjetuar luftën e vitit 1999. Isha 17 vjeçar, i shpëtova luftës. Por, kështu nuk ka ndodhur për shumë familje kosovare, sepse ato jetojnë me dhimbjet e luftës dhe pasojat e tmerrshme.
Mesazhi i këtij filmi është që familja dhe jeta janë mbi të gjitha. Personazhi i këtij filmi dikur kishte familje, por brenda një nate jeta i ndryshoi përgjithmonë.
NY Elite: Ceremonia e hapjes me tapetin e kuq dhe ndarja e çmimeve do të zhvillohen në studiot e famshme Kaufman Astoria të New Yorkut. A planifikoni të merrni pjesë në festivalin IFFNY që do të zhvillohet prej 25 deri 29 maj 2018? Çfarë doni që audienca në IFFNY të kujtojë nga ky film?
Festim Rexhepi: Wow... Po më realizohet një ëndërr, është e pabesueshme që vjen ky moment dhe unë kaloj nëpër të njëjtin tepih ku kanë kaluar yjet e Hollywood-it. Është ndjenjë e mirë që të jep më shumë motiv për projekte të tjera. Do të jem prezent dhe do ta ftoj publikun ta shikojë një film të shkurtër europian.
Besoj se ky është një fillim i mirë për karrierën time në kinematografi, sidomos në atë ndërkombëtare. Synim e kam që projektet e mia gjithmonë të zënë vend në kinematë amerikane. Do të tentoj të sjelli tema përtej Atlantikut të papara nga publiku, duke synuar në origjinalitet dhe trajtimin e problemeve që ekzistojnë në vendin ku jetoj.
NY Elite: Çfarë e bën një film të veçantë për ju? A ka cilësi të caktuara që e bëjnë një film që ju ta vlerësoni?
Festim Rexhepi: Për mua, film i madh është tema që e trajton një tregim i cili e portretizon një shoqëri të tërë, p.sh., tema politike apo të luftës, tranzicioni i një shoqërie. Patjetër se çfarë dëshiroj të shoh tek një film është që të ketë kualitet të xhirimit, fotografi më të mirë, gjithsesi muzika në fund është ajo që të mbetet në mendje për një kohe të gjatë. Ju e shikoni një film, por muzikën mund ta dëgjoni me dhjetëra herë.
Florentina Shala dhe Festim Rexhepi
NY Elite: Cilat janë tre filmat dhe projektet më të preferuara në të cilat keni qenë të përfshirë?
Festim Rexhepi: Unë i kam xhiruar tre filma dokumentarë me regji të Mrika Krasniqit, kurse projekti më i madh ka qenë filmi dokumentar i metrazhit të gjatë Goli Otok, në vitin 2010.
Filmi është me skena masive të njerëzve të cilët rrëfejnë për burgosjet dhe torturat që i kanë përjetuar dikur në një ishull i cili i gjithi ishte prej guri. Ky film më ka dhënë hapësirë të tregoj se çfarë dua të bëjë në xhirim dhe të krijoj imazhe sa më kualitative.
NY Elite: Cilat janë arritjet tuaja në karrierë deri tani?
Festim Rexhepi: Që nga 2002 jam prezent si kameraman, ndërsa nga 2009 jam pjesë e ekipit të Televizionit Klan Kosova. Kam energji, nuk jam lodhur nga kjo ende, andaj gjej kohë edhe për pjesën më artistike – atë të filmit, sepse e dua edhe kinemanë. Ndonjëherë xhirimi im shfaqet edhe në ekran të madh, jo vetëm në televizion. Me dashuri të madhe e përcjelli filmin dokumentar, sepse mendoj se është pjesa më reale që mund të tregohet nëpërmjet filmit.
NY Elite: A e shprehni kreativitetin tuaj në ndonjë mënyrë tjetër?
Festim Rexhepi: Pjesë e pandashme është montazhi i videos dhe fotografia. Herë pas here zhvilloj një film 35mm... Është ndjenjë e veçantë kur fotografoni dhe e zhvilloni filmin pa e parë ecurinë e punës deri në finale, ndryshe nga ajo me aparate digjitale.
NY Elite: Çfarë këshille do t'i jepni dikujt që dëshiron të ketë një karrierë në filmbërje?
Festim Rexhepi: Unë marr këshilla prej njerëzve që bëjnë filma, sepse është një art pa kufi, por filmbërësve të rinj gjithmonë iu them - nëse keni ide, merreni kamerën dhe realizojeni, mos mendoni se çfarë do të ndodhë, apo si do të duket.
NY Elite: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Festim Rexhepi: Jam në biseda, nuk dua që të specifikoj, por gjithsesi ka të bëjë diçka me pasurinë kombëtare. Shpresoj në edicionin tjetër të festivalit në Nju Jork do të vij me projekt të ri.
NY Elite: Ku mund të mësojnë të tjerët më shumë për ju?
Festim Rexhepi: Jam aktiv në Facebook, Instagram dhe në IMDB (
https://www.imdb.com/name/nm9550186/?ref_=fn_al_nm_1)