Lajmet e fundit

Edicionin e 67 të festivalit të shumëvlerësuar e çel “Etienne Comars Django”, rrëfimi mbi jetën e muzikantit Django Reinhardt në Francën e vitit 1943 të pushtuar prej nazistëve. Në fakt, shumë nga filmat konkurrues, këtë radhë trajtojnë çështje të rëndësishme sociale ose politike.
“Ka një preferencë për politikën në festivalet e mëdha të filmit dhe kjo shihet qartë në Festivalin e këtij viti në Berlin. Me situatën e krijuar në qytet, diçka e tillë nuk është edhe aq e pazakontë”, tha Scott Roxborough, “Hollywood Reporter”, shkruan Top Channel.
Disa filma shfaqen jashtë seksioneve tradicionale të festivalit, në atë që njihet si seksioni “Berlinale Special”. Ndër këto premiera bën pjesë edhe filmi “I riu Karl Marks”, me regji të Raoul Peck, i lindur në Haiti.
Një forum i posaçëm u kushtohet dhe artistëve të rinj, të cilët gjatë ditëve të festivalit kanë mundësi të shkëmbejnë mendime dhe ide me kineastë me përvojë nga bota e madhe e filmit.
Masat e sigurisë u shtuan ndjeshëm në kryeqytetin gjerman dhe vetëm disa orë përpara shfaqjes së rëndësishme, vendi ku zhvillohet festivali u rrethua me barriera betoni.