Lajmet e fundit

Bartja nga një sirtar në tjetrin nuk e zgjidhi këtë rast që nga 2008-ta.
Epilogun, kjo lëndë që është kontest ekonomik, do ta marrë shumë shpejt, nga Gjykata Komerciale.
Institucionit më të ri të drejtësisë në vend, që nisi punën në krye të kësaj jave, i janë transferuar rreth 8 mijë raste tjera konflikte administrative dhe konteste tregtare.
Kjo i bie se 10 gjyqtarëve të parë, 6 në shkallë të parë e 4 në të dytën, i ndahen nga 1125 dhe 335 lëndë secilit. Krahas të rejave.
Përveç stafit, që do të plotësohet me konkursin që u hap po këtë të mërkurë, sfidë Komercialja ka edhe hapësirat. Zyrat janë vendosur në katin e 4 të Themelores, përkohësisht.
Nisja e punës, megjithatë, sipas kryetarit të Komerciales, Mahir Tutuli, nisi për të mos i lënë qytetarët të presin më gjatë, përfshirë lëndët e investitorëve të huaj, që nuk janë pak.
Nga të huajt, përveç lëndëve, Gjykata do të marr edhe praktika. Por kërkohet zgjidhje edhe për një çështje.
Seancat e para në Dhomat e Shkallës së Parë pritet të mbahen gjatë shtatorit, derisa ato të Apelit veçse shqyrtohen së brendshmi.