Federata e Futbollit e Kosovës i ka dalë në mbrojtje kapitenit të mbrëmshëm të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.
Kjo pasi, siç thotë FFK, ai u përball me ofendime e komente fyese në rrjetet sociale pas ndeshjes së mbrëmshme finale me Turqinë në “Fadil Vokrri”.
“Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari. Vedati ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij në fushë. Përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që vë në çdo përballje”.
“Ai është shembull i profesionalizmit, i pasionit dhe i unitetit që Kombëtarja e Kosovës përfaqëson. Golat e tij nuk janë thjesht pikë në tabelë, ato janë emocione që frymëzojnë popullin shqiptar dhe krijojnë krenari për vendin tonë. Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë tillë, fatmirësisht të pakët, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje”, tha FFK në reagimin publik.
Si institucione e shoqëri, por edhe si individë, FFK tha se duhet të reagojmë kur vihen në diskutim vlerat që na bashkojnë dhe përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Vedat Muriqi nuk është vetëm kapiteni i Kombëtares. Ai është njëri prej Dardanëve që po shkruan historinë e vendit tonë. Mirënjohja për të dhe për të gjithë lojtarët tanë nuk është thjesht një detyrim moral, është një reflektim i vlerave që duam të kultivojmë si shoqëri: përkushtim, dinjitet dhe krenari”.
“Në fund të ditës, futbolli është më shumë se rezultatet. Ai është mënyra si tregojmë se kush jemi dhe se çfarë vlerash mbrojmë. Dhe Vedati, me punën dhe shpirtin e tij, na kujton çdo ditë se si duhet të jemi si komb, të bashkuar, të guximshëm dhe krenar për çdo arritje”.
“I jemi mirënjohës tifozëve dhe qytetarëve që, edhe pas humbjes së mbrëmshme kundër Turqisë, qëndruan pranë ekipit, duartrokitën dhe mbështetën përkushtimin e jashtëzakonshëm të djemve tanë”, tha Federata e Futbollit e Kosovës në reagimin e saj. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.