Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se i kanë ndryshuar gjyqtarët për përballjen në mes Prishtinës dhe Trepçës, pasi dy nga gjyqtarët kanë pasur një takim të paautorizuar me persona të tretë, pa qenë e informuar FBK-ja.
Fetahu për Klankosova.tv. ka deklaruar se me të pranuar këtë informatë ka ndërruar nominimin, me qëllim të shmangin çfarëdo mundësi të manipulimit të rezultatit.
“Gjatë pasdites së ditës së enjte kemi marrë informatë që dy nga tre referët e deleguar për ndeshjen në fjalë kanë pasur një takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK”, ka thënë Fetahu për Klankosova.tv.
“Me të konfirmuar informatën për këtë kontakt të paautorizuar, përkundër faktit që nuk kemi pasur kurrfarë dëshmie për ndonjë keqpërdorim potencial, FBK ka ndërruar nominimin, me qëllimin që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimit apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes dhe ruajtjes së integritetit të garës sonë elitare, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë i pandikuar nga faktorë negativë të jashtëm”, shtoi ai.
Ai tregoi se e ka njoftuar Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport për këtë ngjarje dhe ka kërkuar që rasti të zbardhet nga autoritetet e vendit.
“Në emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës kam njoftuar zyrtarisht Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport për këtë ngjarje dhe kam kërkuar që rasti të zbardhet nga autoritetet e vendit, me qëllim të parandalimit të fenomeneve të tilla në të ardhmen, duke shprehur përkushtimin tonë për garantim integritetit të palëkundur të garave të saj dhe njoftim të të gjitha rasteve të njohura e potenciale të keqpërdorimeve, manipulimeve apo kurdisjeve potenciale tek organet kompetente, pa asnjë përjashtim dhe kufizim, duke qenë se veprimet e papërgjegjshme të individëve të caktuar mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme imazhin dhe renomenë e sportit të basketbollit në vendin tonë”.
I pari i FBK-së shtoi se ka informuar edhe kryetarët e katër ekipeve pjesëmarrëse në këtë faazë në lidhje me ngjarjen dhe arsyet e ndërrimit të gjyqtarëve për ndeshjet në vijim.
“Njëkohësisht, në emër të FBK i kam njoftuar edhe kryetarët e katër ekipeve pjesëmarrëse të kësaj faze të garës për ngjarjen dhe për arsyet e ndërrimit të nominimit për ndeshjet në vijim, ndërsa nga organet e FBK kam kërkuar vigjilencë të shtuar në ndeshjet në vijim për të garantuar kushte të barabarta të garimit në terrenet e basketbollit”, përfundoi Fetahu. /Klankosova.tv.
https://klankosova.tv/trepca-jemi-plotesisht-te-paster/
https://klankosova.tv/kb-prishtina-skandal-trepca-u-ofroi-para-gjyqtareve-greke-qe-te-manipulonin-ne-favorin-e-tyre/
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.