Lajmet e fundit

Për Kombëtaren shqiptare, ky vit që po lëmë pas ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Pas kualifikimit për në finalet e Europianit të Francës, në 2016-n do të kemi mundësi që për herë të parë të valëvisim flamurin kuqezi në një event të tillë madhor.
Duke nisur nga trajneri De Biasi, kapiteni Lorik Cana si dhe lojtarët Hysaj, Agolli e Berisha kanë shfrytëzuar murin e Kryeministrisë për të uruar të gjithë shqiptarët për festat e fundvitit.
Urimet e kuqezinjve
Gianni de Biasi, trajner i Kombëtares: Urimet më të mira për festat e fundvitit për të gjithë shqiptarët. Çdo çast të këtij viti marramendës, e kemi përjetuar së bashku dhe urojmë që ëndrra të vazhdojë edhe në 2016-n!.
Lorik Cana, kapiten i Kombëtares: I uroj të gjithë shqiptarëve kudo ndodhën Gëzuar Vitin e Ri 2016!. Sjelltë ky vit sa më shumë shëndet e dashuri për çdo vatër shqiptare, ju premtojmë një vit të paharruar dhe uroj që së bashku të përjetojmë emocione edhe më të mëdha!
Elseid Hysaj, mbrojtës: Kaluam së bashku një vit të paharruar, faleminderit për mbështetjen. Urimet më të mira për çdo shqiptar.
Etrit Berisha, portier: Gëzuar Vitin e Ri! Suksese dhe mbarësi për të gjithë. Gaz e lumturi për çdo shqiptar.
Ansi Agolli, mbrojtës: Gëzuar festat! Mbretëroftë gëzimi dhe hareja te të gjithë shqiptarët./shekulli