Shoqata “Hendifer” ka njoftuar se po organizon Koloninë Artistike 2025 – Edicioni i Dytë, një ngjarje unike dhe e vetmja e këtij lloji në Kosovë, që bashkon artistë me aftësi të kufizuara nga i gjithë Ballkani në një hapësirë ku arti bëhet urë bashkimi, fuqizimi dhe frymëzimi.
“Hendifer” shton se pas suksesit të edicionit të parë, këtë vit Kolonia do të sjellë edhe më shumë krijimtari, bashkëpunim dhe përfshirje, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë ditëve të kolonisë, pjesëmarrësit do të krijojnë vepra të reja artistike, do të ndajnë përvoja mes tyre dhe do të bashkohen në një hapësirë që e vlerëson diversitetin dhe talentin pa barriera.
Kjo Koloni do të mbahet në Nerodime të Ferizajt nga datat 25-27 tetor.
Derisa veprat e krijuara gjatë kolonisë do të prezentohen në ekspozitën që do të mbahet më 27.10.2025, në ora 18:00, te Galeria e Arteve në Ferizaj.
“Shoqata Hendifer fton gazetarët dhe mediat që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje frymëzuese, për të dokumentuar historitë e artistëve që përmes artit po ndryshojnë mënyrën se si shoqëria I sheh aftësitë dhe kufizimet”.

●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.